Dita Botërore e Pastrimit, Veliaj i bashkohet aksionit

AKTUALITET


Sot në Ditën Botërore të Pastrimit, qindra qytetarë dhe vullnetarë, të mbështetur nga punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë së Tiranës, si dhe 27 njësitë administrative, morën pjesë sot në aksionin e pastrimit të Tiranës. Aksionit të pastrimit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me banorët e Njësisë 13 në kryeqytet.

Kryebashkiaku nënvizoi se kjo fushatë pastrimi i rrit akoma më shumë vlerën qytetit dhe se e rëndësishme është që qytetarët të respektojnë hapësirën përreth tyre, duke mos hedhur mbeturina në tokë, por në vendin e duhur.


“Më mirë se sa pastrimi është e rëndësishme të mos bëjmë pis që në fillim. Tirans nuk të bën adresa e shtëpisë, të bën mentaliteti. Ti vetë e ul vlerën e shtëpisë tënde, në momentin që hedh plehrat poshtë ballkonit e të rroftë që e ke shtëpinë në një adresë shumë të mirë. Në momentin që ti hedh dhe bën pis i ke ulur vetë vlerën shtëpisë tënde. Fakti që çdo vit ka më pak vatra dhe fakti që çdo vit në fakt janë lagjet më të varfra të Tiranës që janë më pastra dhe janë këta pasunarët e rinj që ende duan emancipuar do të thotë që çdo komb mund të ndryshojë”, u shpreh Veliaj.

Ai i ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate pastrimi pavarësisht se ku jetojnë. “Ftesa për të gjithë ata që kanë ardhur në Tiranë, na bashkohen nga qytete të tjera, na kanë dhënë edhe ne sfidën e urbanizimit dhe rritjes pa kufi dhe ofrimit të shërbimit në çdo cep është: Silluni si kryeqytetas, nuk ju bën adresa apo shtëpia e shtrenjtë, ju bën mentaliteti”, bëri thirrje Veliaj.

Mesazhi më i rëndësishëm i kësaj dite ishte ai i Emiljanos, një prej vullnetarëve që pavarësisht aftësive të kufizuara, iu bashkua aksionit për pastrimin e qytetit ku jeton.
“Unë shoh shumë ambiente të papastra dhe më vjen çudi se pse nuk dalin njerëzit dhe pse të mos jem unë i pari që të dal. Jo të gjithë njerëzit janë të kufizuar në pjesën e këmbëve dhe të duarve, por është më shumë në mendje. Kush dëshiron vjen dhe pastron, kush nuk dëshiron rri dhe hedh nga nga pjesa e ballkonit dhe nuk bën gjë më tepër”, u shpreh ai.

Aktivisti i “Green Line”, Ervin Shehaj vuri theksin te ndërgjegjësimi i qytetarëve, teksa vlerësoi Bashkinë Tiranë për mesazhin që po jep përmes këtij aksioni vullnetar. “Bashkia e Tiranës është një nga bashkitë më aktive në vend dhe jo vetëm ka qenë gjithmonë aktive, por ka ndërmarrë dhe nismën ta pastrojmë Tiranën dhe do ishte një shembull shumë i mirë që çdo bashki ta kishte të paktën një ditë do t’i jepte një impakt edhe më të madh këtij aksioni”.




Skip to toolbar