Ditmir Bushati po ndërton një fabul të vetën politike

OPINION


Nga Mero Baze

Ditmir Bushati nuk është në sherr me Partinë Socialiste, për atë që ka ndodhur në Shkodër. Për atë që ka ndodhur në Shkodër mund të jetë në sherr Partia Socialiste me Ditmirin. Ajo që po artikulon Bushati, qysh pas ikjes nga Ministër i Jashtëm e më pas, është një gjë më e thellë dhe më serioze për karriernë e vet, se sa ndonjë mospërputhje idesh me Edi Ramën.


Ditmir Bushati, duket se ishte ministri që e përjetoi më keq se gjithë të tjerët shkarkimin nga Ministër i Jashtëm. Edhe pse ishte një shkarkim i ambalazhuar për gjithë ministrat njësoj, pra për të gjithë ata që kishin qenë ministra pesë vjet, Bushati ndryshe nga ministrat e tjerë ndërtoi fabulën e vet politike për shkarkimin. Ai e paraqiti kudo shkarkimin, tek gazetarë konfidentë, tek diplomatë, ish kolegë të tij dhe kudo që pyetej, përveçse publikisht, si një pasojë që po i vinte nga fakti që Edi Rama mbështeste Presidentin Hashim Thaçi në bisedimet për Marrëveshjen me Serbinë, ku ishin të hapura dhe opsionet e shkëmbimit të territoreve.

Aq shumë u vetsugjestionua nga kjo fabulë që ndërtoi, dhe aq shumë e përhapi atë, sa Presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretoj shkarkimin e tij, një rast i paprecedent në historinë e politikës së çdo shteti në botë, ku shkarkimi i ministrit është tërësisht kopetencë e kryeministrit. Beteja vazhdoi pastaj me mos dekretimin e Gent Cakaj, të cilin, fal këtij sugjestioni publik që ju bë shkarkimit të Bushatit, u caktua apriori si njeri I dërguar nga Vuçiç e Thaçi, për të pasur mbështetje të Tiranës, a thua se atyre nuk u mjaftonte Edi Rama, nëse e kishin.

E vërteta është se Bushati ishte në të drejtën e vet të ishte kundër një Marrëveshje Serbi Kosovë që përfundonte me shkëmbim territoresh.

Shkëmbimi i territoreve është një ide e keqe, një minë me sahatë për rajonin dhe një poshtërim për shqiptarët e serbët, si dy kombe primitive që nuk jetojnë dot bashkë. Të jesh kundër kësaj ideje është një gjë e lehtë dhe parimore. Por të përballesh me këtë ide si shtetar, mbështetur dhe nga SHBA e BE, duke qenë kryediplomat apo kryeministër, nuk është njësoj si të jesh editorialist tek gazeta “Tema”, ku mund të thuash kollaj që kjo është idjotësi.

Edi Rama nuk foli kurrë as një “Po” dhe asnjë “Jo” për këtë propozim, duke thënë se është një peshë në qafën e Hashim Thaçit dhe ky është I vetmi fakt publik, që e diferenconte atë nga Bushati, i cili në një intervistë e kundërshtoi hapur këtë ide.

Fushata linçuese ndaj Cakaj, përfshirja në debat e Berishës  Metës dhe Haradinaj, që befas gjetën rast të shfryjnë dhe inatin me SHBA për hallet e tyre dhe të ndezin delirin e shpëtimtarëve të kombit, kishte nevojë për një aleatë nga ana e Ramës dhe Ditmir Bushati ishte “armiku” në dipsozicion, në këtë rast.

Kjo fabulë zgjati deri në verën e këtij viti, kur Bushati u përballë me ndëshkimin e dytë nga Edi Rama, atë të shkarkimit nga kordinator politik I Shkdorës pas zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Pas kësja ai nisi të ndërtoj fabulën e dytë të tij politike, atë të dekriminalizimit, pasi kandidati i tij për në Shkodër rezultoi një ish i dënuar në Itali.

Kjo e dyta natyrisht prodhon më shumë nervozizëm në Partinë Socialiste, edhe pse e vërteta është se mjedisi I të zgjedhurëve është I kontaminuar nga prurje të tilla, herë pas here.

Dy javë më parë ai ka pas një shkëmbim të hidhur replikash me Edi Ramën në debatet onlinë me kryesinë e PS dhe dje një diskutim po aq të hidhur në kryesi, duke u foksuar tek ky fenomen dhe duke bërë përgjegjës Edi Ramën.

Janë dy fabula që vijnë pas dy shkarkimeve të tij, e para nga një postë shtetëror dhe e dyta nga një post politik.

E vërteta është se deri tani, debati brenda PS, është mes tij dhe Edi Ramës. Askush nuk është përfshirë në këtë debat, qoftë dhe për faktin se shkarkimi nga Ministër është një çështje eskluzive e kryeministrit dhe se shkarkimi nga kordinator politik erdhi pas një rezultati katastrofik të ulët të PS në Shkodër, edhe pse pa rival.

Por nuk duket se është një debat nga ato që “shëndoshin” Partinë Socialsite siç thuhet rëndom në këto raste. Është më shumë një polemikë politike mes tij dhe Edi Ramës, si një njeri që po ndërton fabulën e vet politike ndaras me të,  si një ish Ministër që u bë “viktimë” e (mos)marrveshjes Serbi Kosovë dhe ish politikan I PS, që u bë viktimë e marrëveshjes Rama Doshi. Ka zgjedhur dy fabula të cilat nuk lënë vend për të dy brenda në PS.

Dhe Bushati duket që nuk po lufton për të qëndruar, por po qëndron për të ikur duke luftuar, kundër “armiqëve të jashtëm të Shqipërisë” që I lidh me Edi Ramën dhe “kundër armikut të brendëshëm” të PS, që është Edi Rama.




Skip to toolbar