Në vijim të rrëfimit të tij, ish – presidenti i kompanisë AEY, David Packouz, tregon për takimin mes Efraim Diverolit, Mihal Delijorgjit dhe djalit të kryeministrit aso kohe, Sali Berisha. Ai tregon negociatat mes palëve për çmimin e fishekëve në Gërdec, dhe prishjen e kontratës, me të ndjerin Kosta Trebicka.
“Ata organizojnë një takim për ne me një burrë të quajtur Mihal Delijorgji. Kështu Efraimi takohet me Delijorgjin dhe një djalë tjetër ishte në takim, të cilin më vonë e njohëm si djalin e kryeministrit të kohës. Delijorgji i thotë Efraimit: E di që do një çmim më të mirë për municionet dhe e di gjithashtu që po paguani këtë shqiptarin tjetër, Kostën, për të bërë ripaketimin. Pse nuk ma jepni mua kontratën e ripaketimit? Unë fitojë para me kontratën dhe pastaj mund t’ju bëj një zbritje të vogël për municionet, sepse, siç e kuptoni unë i bëjë paratë e mia.
Dhe Efraimi tha: Kjo është një ide e mrekullueshme. Kosta pushohet nga puna, Delijorgji punësohet.
Kosta më thërret. Djali i kutive më thërret në telefon dhe më thotë: E kuptoj që ju po ndërroni furnitorët për të bërë ripaketimin. E kuptoj që është biznes, por mua më kanë ngecur kuti me vlerë 20,000 dollarë.
Kështu që unë i them Efraimit: Përse nuk ia japin 20 mijë dollarët Kostës dhe t’i transferojmë kutitë? Dhe Efraimi, siç ka karakterin, thotë jo. Unë i thashë dakord, por Kosta di gjithçka për biznesin tonë. E pyeta nëse ishte i sigurt që dëshironte ta bënte. Efraimi ishte i sigurt se Kosta nuk kishte ç’të bënte më. Kështu që doli se Efraimi bëri gabim, sepse Kosta u mërzit aq shumë për kutitë me vlerë 20 mijë dollarë sa thirri New York Times, dhe kështu Neë York Times filloi një hetim mbi ne që përfundimisht çoi në rënien e biznesit tonë. Kosta thirri shtypin vendas shqiptar dhe informoi gazetarët shqiptarë se politikanët shqiptarë po merrnin ryshfete nga kontrata jonë.” -rrëfen Packouz.