Lideri i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, e ka shmangur vuajtjen e paraburgimit, pasi të premten u paraqit vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnjës për t’u marrë në pyetje si i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues.
Prokuroria e Bosnjës njoftoi se Dodik u mor në pyetje në prani të avokatit të vet mbrojtës.
Muaj më parë, Gjykata e Bosnjës kishte lëshuar fletarrestim kombëtar për Dodikun dhe kishte urdhëruar një muaj paraburgim për të, por ai nuk u kap asnjëherë nga autoritetet.
Gjatë një seance të premten, gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për ta shfuqizuar masën e paraburgimit për Dodikun, duke thënë se arsyet e mëparshme për paraburgosjen e tij nuk vlenin më.
Gjykata urdhëroi që Dodiku të paraqitet detyrimisht para autoriteteve të drejtësisë kohë pas kohe.