Dosja 184 fut në sherr prokuroritë. Zgjidhja në dorën e KLP

AKTUALITET


Dosja e 184 e përgjimeve të famshme të gazetës gjermane BILD për shit-blerjen e votave në Dibër, ka krijuar përplasje mes prokurorisë së krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Dibrës mbi vijimin e hetimeve. Të mërkurën prokuroria e krimeve të rënda shpalli moskompetencë për vijimin e hetimeve për këtë dosje, duke ia deleguar prokurorisë së Dibrës. Gjatë të enjtes Prokuroria e Përgjithshme ka shpërndarë një deklaratë për mediat ku sqaron gjërë e gjatë se pse kjo çështje duhet të ndiqet nga prokuroria e Dibrës, ndërkohë që kjo prokurori nga ana e saj e ka refuzuar duke përdorur si argument konfliktin e interesit. Por siç njofton edhe prokurorja e përgjithshme duket se fati i kësaj dosje do të përcaktohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili duhet të caktojë një prokuror që nuk ka konflikt interesi për të vijuar hetimet për këtë dosje.

Në njoftimin e prokurorisë së përgjithshme bëhet e ditur se prokurori i çështjes, Klodian Braho, ka ndyshuar cilësimin juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”. Ky ndryshim ka bërë që dosja 184 të mos shqyrtohet më nga Krimet e Rënda por nga prokuroria e Dibrës.


Por Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër e ka refuzuar një kërkesë të tillë ndërsa ka dhënë disa arsye:  “Së pari, veprat penale janë kryer nga grupi i strukturuar kriminal dhe për këtë vepër është kompetente Prokuroria për Krime të Rënda. Së dyti, prokurori duhet t’i ishte drejtuar gjykatës për pushimin e akuzave dhe jo të procedonte me ndryshim të cilësimit juridik. Së treti, prokurorët e Prokurorisë Dibër janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk mund ta hetojnë çështjen në fjalë.

Së katërti, Prokuroria Dibër nuk ka staf të mjaftueshëm për të përballuar këtë çështje”, njofton prokuroria e Dibrës.

Mosmarrëveshja në fjalë është shqyrtuar nga Prokurorja e  Përgjithshme, Arta Marku e cila në përfundim të vlerësimit vendos se “të gjitha veprat penale në dosjen 184 janë në kompetencë lëndore dhe tokësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër”. Pra, sipas Arta Markut i takon Prokurorisë së Dibrës që të merret me këtë dosje.

Më tej kryeprokurorja vëren se “nëse të gjithë prokurorët që ushtrojnë funksionin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër do e gjejnë veten në kushtet e konfliktit të interesit dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës dhe këtë do e shprehin me dorëheqje, kjo është një situatë që i duhet njoftuar menjëherë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili mund të caktojë përkohësisht një prokuror tjetër për hetimin e çështjes në fjalë”.

“Edhe argumenti tjetër se Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër nuk ka kapacitetet njerëzore, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore pranë prokurorisë, për hetimin e mëtejshëm të këtij procedimi penal, kjo e konfirmuar edhe me kërkesat e vazhdueshme që i janë bërë KLP-së për prokurorë, nuk është i tillë që të ndikojë në përcaktimin e kompetencës lëndore. Ky është një problem i burimeve njerëzore dhe mënyra se si ato menaxhohen dhe shpërndahen ka karakter administrativ dhe nuk mund të jetë argument në favor të mosushtrimit të ndjekjes penale apo të mungesës së kompetencës lëndore”, deklaron Marku.

Si përfundim, Arta Marku thekson se prokuroria e Dibrës duhet të pranojë aktet dhe të regjistrojë procedimin penal për dosjen 184.

Në rast se kjo prokurori nuk zbaton urdhrin e kryeprokurores Marku, atëherë dosja 184 do të mbetet për t’u zgjidhur nga KLP./Realstory.al




Skip to toolbar