Dosja “Tërmeti”, shoqërohet drejtori dhe zyrtari i Konvaleshencës në Durrës

AKTUALITET


Dosja “Tërmeti” në qytetin e Durrësit ka shënuar lëvizjet e para, ku është ndaluar drejtori i Konvaleshencës Ahmet Doda si dhe një zyrtar i lartë i shtëpisë së pushimit të oficerëve në Durrës.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala e cila gjithashtu konfirmon se deri më tani janë lëshuar disa urdhra arreste, ndërsa ka dhe të shoqëruar, që lidhen me hetimet për vënien para drejtësisë të përgjegjësve sa i takon sigurisë së godinave. Janë lëshuar 18 urdhër-ndalime, mes tyre dy ish-drejtues të ALUIZNI-t, Arben Isaku, Flamur Gjuzi, si dhe inxhinierë, arkitektë dhe kolaudatorë. Kujtojmë se Gjuzi ka qenë i shpallur në kërkim për tjetërsim prone, ndërkohë që Arben Isaku, ish drejtori i legalizimeve, tashmë është numri 2 i Partisë Socialiste në Durrës. Ndërkohë të ndaluar janë dhe drejtori i Kovalishencës në Durrës, Ahmet Doda si dhe nëndrejtori Kujtim Hasa. Po ashtu, të shoqëruar janë edhe Aldo Dakovelli dhe Artemis Malko.


Prokuroria e Durrësit ka nisur, që më datë 29 nëntor, çështjen penale që i referohet tërmetit të 26 nëntorit, ku pas shembjes së disa ndërtesa humbën jetën 25 persona. Çështja në fjalë është regjistruar për veprat penale, “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të Kodit Penal.

Si pasojë e tërmetit në një prej godinave të Konvaleshencës së Durrësit humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmataj.




Skip to toolbar