Dy tunele dhe 4 ura! Hapet Qukës-Qafë Plloçë, Rama: Projekti më i mundimshëm, sepse u nis mbrapsht

AKTUALITET


Është hapur për qarkullimin e automjeteve edhe aksi i Qukës- Qafë Plloçë, segmenti 43 kilometra që sipas qeverisë do të lehtësojë trafikun në zonë, do të ndihmojë bujqësinë, turizmin e agroturizmin.

Projekti është me dy karrexhata dhe korsi ndihmëse ndërsa në disa raste, kur ka disnivele, ka edhe korsi të tretë. Gjithashtu rruga përfshin edhe dy tunele, njëri 710 metra dhe tjetri 300 metra i gjatë, katër ura, dy prej të cilave të varura metalike.

“Kur e morëm në trashëgimi kishte nisur pa projekt. Është projekti më i gjatë dhe më i mundimshëm, për shkak se u nis mbrapsht. Tani është gjë e madhe që mbaroi dhe që edhe njerëzit e zonës, për të cilët është fitore e madhe, çlirim i madh, por të gjithë e kanë në dispozicion. Dukej sikur s’do mbaronte kurrë. E mban mend urën që kishin bërë, me 17 metra disnivel”, tha Kryeministri Rama.

Me një gjatësi totale prej 43.4 kilometrash, rruga Qukës – Qafë Plloçë është një nga  investimet strategjike në infrastrukturë me ndikim për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave lindore të vendit.

Rruga do të shërbejë si një lidhje e rëndësishme për komunitetet lokale, duke përmirësuar qasjen dhe duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Për shkak të terrenit të vështirë kjo vepër infrastrukturore përfshiu ndërtimin e një numri të madh muresh mbajtëse, mbi 20 ura, 2 tunele të ndërtuara me gjatësi 850 m dhe 350 m, së bashku me tunelin e emergjencës.

Projekti për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë u nda në tre lote dhe me përfundimin e plotë mundësohet ndërlidhja e domosdoshme për komunitetet që banojnë në afërsi të këtij aksi. Ky aks rrugor krijon një perspektivë e re për zhvillimin e zonës së Mokrës dhe rajoneve përreth, duke krijuar kushte të reja për zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonomisë lokale.

Një nga përfitimet kryesore të këtij aksi është shkurtimi me rreth 45 minuta i kohës së udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë, çka e bën këtë rrugë të rëndësishme jo vetëm për qarkullimin lokal, por edhe për qytetarët  dhe turistët që udhëtojnë drejt juglindjes së Shqipërisë.



Skip to toolbar