“Edhe Greqia kreu arrestime për blerje vote”, Xhaçka: “Beleri” nuk është çështje politike

AKTUALITET


Ministrja e Jashtme, OIta Xhaçka thotë se ia ka bërë të qartë homologut grek, Nikos Dendias, se çështja e arrestimit dhe lënies në burg të Fredi Belerit, i përket drejtësisë.

“E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe i shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re. Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote”, tha Xhaçka në një deklaratë për mediat pas takimit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me ata të Bashkimit Europian.


“Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare”.

Sa i përket takimit, të kryer në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Xhaçka tha se qëllimi i ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve të rajonit. “Diskutuam mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen pa rezerva për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria jonë e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Sot në Bruksel u bë i qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas”, tha ministrja.

Për shkak të luftës në Ukrainë, thotë Xhaçka, stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar. “Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE. Nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, se pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve.

Së dyti, stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare.

Së treti, në situatën e pasigurt gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike”, shtoi Xhaçka.




Skip to toolbar