Policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona në lidhje me atentatin ndaj 29 vjeçarit Ermir Dedja.
Bëhet me dije se dy personat e identifikuar dhe të shpallur në kërkim kanë siguruar automjetin dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me ekzekutorët të cilët mendohet të kenë qenë dy persona të tjerë.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë arritur të gjejnë prova dhe i kanë dërguar në laboratorin e kriminalistikës dhe presin rezultatet e analizave.
Për shkak të angazhimit të 29-vjecarit në aktivitete të ndryshme kriminale përgjatë viteve të fundit, policia ka ngritur disa pista hetimi të cilat mendohet se janë bërë shkak për ekzekutimin e Ermir Dedjas, personazh i njohur jo vetëm për policine lokale.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës të së hënës në afërsi të një qendre shëndetësore në lagjen nr.18 të qytetin të Durrësit. 29-vjeçari Ermir Dedja, i cili rezulton të jetë një emër i njohur për Policinë e Shtetit, kishte parkuar automjetin e tij tip “BMW” dhe po shkonte në këmbë në banesën e tij që e që e kishte aty pranë.
Autorët, të cilët ishin të maskuar, shfrytëzuan momentin që i riu po ecte në trotuar dhe e kanë qëlluar me një plumb në gjoks. Fatkeqësisht i riu gjeti vdekjen menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë autorët u larguan me shpejtësi.