Ekzekutimi i Mëhallës në Elbasan: Merret në pyetje ish ortaku, dyshohet se kanë pasur konflikt

AKTUALITET


Policia e Elbasanit ka shoqëruar dhe po merr në pyetje ish ortakun e Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla, i cili u ekzekutua dy ditë më parë.

Sipas hetimeve, Edmond Hyka ka pasur një konflikt me ish ortakun, i cili nga ana tjetër, ka gënjyer kur është pyetur se ku ndodhej në momentin e vrasjes.

Ndërkaq, në pyetje është marrë edhe roja i pikës së karburantit. Ai dyshohet për pengim të hetimeve për ngjarjen.

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyrë në makinën tip “Range Rover”. Ai u qëllua tre herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Njëri nga autorët ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe e ka qëlluar. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë.Brenda mjetit, që u gjet e djegur paraditen e djeshme, u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim. 

43-vjeçari nuk ishte person i panjohur për policinë, me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë në zonën e Komunës së Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan. 



Skip to toolbar