Elon Musk: Marrëveshja për blerjen e Twitter-it, “përkohësisht në pritje”

BOTA


Elon Musk ka thënë të premten se plani i tij për të blerë kompaninë Twitter për 44 miliardë dollarë, është “përkohësisht në pritje”, teksa tenton të përcaktojë numrin e saktë të llogarive të rreme në rrjetet sociale.

Musk, i cili ka folur hapur për dëshirën e tij që të zgjidhë problemin e kompanisë Twitter me profilet mashtruese, duket se është interesuar nëse kompania i ka raportuar drejt ato.


“Marrëveshja për Twitter-in është përkohësisht në pritje për shkak të hollësive të lidhura me llogaritë e rreme dhe nëse ato vërtet përbëjnë pesë për qind të përdoruesve”, ka thënë Musk, duke dhënë shenja se dyshon nëse kjo shifër është kaq e ulët.

Ende nuk është bërë e qartë nëse kjo gjë mund të ndikojë në marrëveshje.

Vlera e aksioneve në Twitter dhe Tesla ka marrë drejtime të kundërta, pasi Twitter ka pësuar rënie prej 18 për qind, ndërsa vlera e Teslas është rritur për pesë për qind.

Musk veçse ka shitur aksione në vlerë të tetë miliardë dollarëve për të financuar blerjen e Twitter-it.

Disa analistë kanë thënë se deklarimi i Muskut mund të jetë strategji e tij për të negociuar çmim më të ulët për blerje të kompanisë, apo edhe për t’u tërhequr plotësisht nga ajo, ndonëse në atë rast do t’i duhej të paguante 1 miliard dollarë gjobë.

Musk ka bërë këtë deklarim një ditë pasi Twitter ka shkarkuar nga puna dy prej menaxherëve kyçë.

Twitter ka thënë se është duke pezulluar shumicën e pozitave, përveç atyre kritike.