Pas seancës plot tensione dhe përplasje fizike, deputetët socialistë kanë nisur të firmosin kërkesën për përjashtimin nga punimet e Kuvendit të 7 kolegëve opozitarë, që sipas tyre, janë përgjegjësit për kaosin të krijuar.
Bëhet fjalë për Flamur Nokën, Gazmend Bardhin, Bledian Nallbati, Edi Paloka, Albana Vokshi, Lefter Gështenja dhe Saimir Korreshi.
Tensioni i seancës u transferua këtë të martë në komisionin parlamentar të ligjeve. Protagonist u bë përsëri opozitari Bledion Nallbani, i cili në seancën e së hënës tentoi të godasë me grusht socialistin Vullnet Sinaj.
Opozita pasi kërkoi fjalën akuzoi kryetaren e Komisionit Klotilda Bushka se ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, duke mos lejuar zhvillimin normal të mbledhjes.
Bledion Nallbati është me siguri në krye të listës me emrat që socialistët kërkojnë të përjashtohen. Ai vetë para nisjes së Komisionit të Ligjeve, në një prononcim të shkurtër për mediat, pranoi se përplasja me kolegun Sinaj ishte një shfaqje që nuk nderon. Sakaq, deputeti socialist Sinaj tha se nuk do ta denonconte Nallbatin.