EMRI/ E ruante me kamera, dhunoi dhe mbylli në banesë bashkëshorten, kapet 34-vjeçari në Tiranë

AKTUALITET


Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas policisë, i riu Asqeri Mandri kishte vendosur kamera sigurie në banesë për të monitoruar lëvizjet e saj.


Kujtojmë se një ngjarje e tillë u zbulua më herët në Tiranë, Ku një 35-vjeçar kishte blinduar banesën e tij me kamera sigurie dhe mbante të izoluar bashkëshorten, fëmijën dhe nënën e tij.

Ishte Jetnor Zhaboli i cili pas hetimeve më pas u arrestua nga policia. Nga dëshmitë e dhëna u mësua se ai këto sjellje i kishte bërë për shkak të xhelozisë ndaj bashkëshortes.

Njoftimi i plote:

Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje.

Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari, Asqeri Mandri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua 34 vjeçari, banues në Kodër Institut.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshën Tiranë, për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar