Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

KOSOVA


I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Ohër prej nga foli të shtunën për Radion Evropa e Lirë.

Escobar do të marrë pjesë në takimet e Ohrit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e vëzhguesit.


Ndërmjetësues të takimit Kurti-Vuçiq janë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Gabriel Escobar: Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim [të marrëdhënieve]. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike.

Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi.

Radio Evropa e Lirë: A jeni takuar sot me të dy liderët?

Gabriel Escobar: Jo sot, por i kam takuar këtë javë. Jam takuar së fundi me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe shpresoj të takohem me presidentin [e Serbisë, Aleksandar ] Vuçiq më vonë gjatë ditës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, ka pasur shumë presion që marrëveshja të arrihet në muajin mars. Pse është aq i rëndësishëm ky afat kohor?

Gabriel Escobar: Janë disa arsye. E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit.

Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike.

Radio Evropa e Lirë: Para këtij takimi, kemi parë skepticizëm nga të dyja anët – veçanërisht nga pala serbe. A është zbutur qëndrimi i tyre këto ditë?

Gabriel Escobar: Një gjë që duhet ta them për Serbinë është që presidenti Vuçiq e ka nisur një bisedë të vërtetë kombëtare lidhur me atë se si do të dukej një marrëdhënie mes Kosovës dhe Serbinë në të ardhmen. Dhe, duhet të them që të dyja palët janë duke e marrë seriozisht këtë përgjegjësi.

Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot.

Radio Evropa e Lirë: A prisni të ketë nënshkrim të dokumentit sot, veçanërisht nga Serbia?

Gabriel Escobar: Shikoni, ne nuk jemi të fokusuar në nënshkrim, por po fokusohemi në finalizim. Kjo do të thotë të kemi një pajtim që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale dhe një pajtim real në marrëdhënien e tyre. Kështu që, kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit.

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për vetë propozimin. Është përshkruar si shumë i dobishëm për të dyja vendet, veçanërisht për Kosovën. Por, nuk e përfshin njohjen reciproke. A mendoni se ky propozim mund dhe do të çojë në njohje reciproke?

Gabriel Escobar: Sigurisht që e hapë një derë për këtë dhe shikoni, qëndrimi im – siç e kam deklaruar vazhdimisht, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi – është se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën. Ky rajon është një rajon me premtime të jashtëzakonshme.

E, megjithatë, jashtë rajonit, njerëzit besojnë se Ballkani Perëndimor është një zonë konflikti dhe tensioni etnik. Në realitet, kjo do t’i jepte fund një prej mosmarrëveshjeve të fundit të mbetura në rajon dhe do të lejonte që i gjithë rajoni të zinte vendin e tij në Evropë, si një pjesë e rritjes më të shpejtë të Evropës.

“Nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëra-tjetrën”

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, ju do të thoshit se njohja reciproke është qëllimi përfundimtar?

Gabriel Escobar: Është për ne.

Radio Evropa e Lirë: Duhet të ndodhë patjetër?

Gabriel Escobar: Mirë, mendoj se duhet të ndodhë. Mendoj se duhet të ndodhë për të gjitha vendet e rajonit. Kështu që, unë mendoj se nuk ka asnjë mënyrë, asnjë rrugë për në Evropë pa e njohur njëra-tjetrën të gjitha vendet e rajonit dhe pa punuar mirë së bashku me njëra-tjetrën.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë ndodh nëse Serbia refuzon të arrijë deri aty?

Gabriel Escobar: Epo, shikoni, ajo që po i kërkojmë Serbisë është ta normalizojë marrëdhënien e vet me Kosovën. Ata janë të përgatitur për ta bërë këtë.

“Pa marrëdhënie të mirë mes fqinjësh, s’ka integrim”

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të mëparshme, ju keni thënë se nuk mund ta imagjinoni pse dikush nuk do të pajtohej me këtë marrëveshje. Nëse është kështu, çfarë do të ndodhë nëse palët dështojnë në arritjen e një marrëveshjeje sot ose këto ditë? A do të ketë pasoja?

Gabriel Escobar: Shikoni, pasojat.. fillimisht është se ne nuk ecim përpara në integrimin tuaj atlantik. Pra, për Kosovën, një nga pasojat është se Bashkimi Evropian pret që ajo të tregojë vullnetin e mirë për të qenë në gjendje të ketë një marrëdhënie paqësore me fqinjin e saj më të madh, përpara se të vendosë nëse ajo është e përgatitur për ta marrë kandidaturën në Bashkimin Evropian. Pra, kjo është një pasojë mjaft e madhe. Por, përtej kësaj, ka pasoja në mospasjen marrëdhënie paqësore me fqinjët tuaj.

Pra, kjo nuk është një pasojë që ne do ta imponojmë, ky është vetëm një fakt i natyrshëm që Kosovës i duhet një marrëdhënie pozitive, miqësore dhe paqësore me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: E, për Serbinë?

Gabriel Escobar: E njëjta gjë për Serbinë. Dua të them se Serbia ka obligime ligjërisht të detyrueshme ndaj Bashkimit Evropian për Kosovën, për krijimin e kushteve paqësore në rajon sipas kërkesave të Kapitullit 35, kështu që kjo do t’i ndihmonte asaj të lëvizë në atë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Këshilltari në Departamentin amerikan të Shtetit, z. Chollet, ka përmendur përfitime të mëdha për të dyja vendet nëse arrihet marrëveshja. A mund të na tregoni se cilat janë këto përfitime?

Gabriel Escobar: Do të filloj me më të rëndësishmen. Tregu më i madh për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian. Dhe, kështu ajo që bën është se u jep investitorëve besimin se të dyja vendet po i afrohen atij tregu, po i harmonizojnë tregjet e tyre me kërkesat rregullatore dhe legjislative të BE-së dhe se çfarëdo investimi këtu, në Ballkanin Perëndimor, në fund të fundit është një investim në një treg evropian.

Pra, kjo është më e madhja dhe kjo është pasojë e natyrshme e kësaj. Por, ka edhe përfitime të tjera, ka përfitime politike. Ajo hap derën që të dyja vendet të lëvizin më shpejt në strukturat evropiane, veçanërisht për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: A ka pasur premtime për investime, nga SHBA-ja apo…?

Gabriel Escobar: Ka pasur premtime për t’i ndihmuar ato të ecin përpara në tërheqjen e zhvillimit të sektorit privat dhe ne patjetër po përpiqemi ta bëjmë këtë dhe patjetër që do ta intensifikonim këtë përpjekje.

“Shndërrimi ndonjëherë i Asociacionit në Republika Sërpska, i pagjasë”

Radio Evropa e Lirë: Le të flasim për çështjen më problematike për lidershipin e Kosovës, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti ka argumentuar se nëse diçka nuk fillon si Republika Sërpska, kjo nuk do të thotë se nuk do të shndërrohet në një të tillë. Si mund të garantojë SHBA-ja që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të shndërrohet në një institucion autonom?

Gabriel Escobar: Së pari, Asociacioni do të përcaktohet nga kompetencat e tij, do të përcaktohet me statut. Do të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës, brenda strukturës ligjore të Kosovës.

Për më tepër, më e rëndësishmja është se me normalizimin mes dy vendeve, ato po harmonizohen edhe me standardet evropiane. I dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, u ka dhënë atyre 16 modele të aranzhimeve të ngjashme brenda Bashkimit Evropian që nuk kanë ndikuar në funksionalitetin ose kushtetutshmërinë e atyre vendeve.

Pra, ka një rrugë përpara për të krijuar një model për asociacionin që nuk krijon një Republikë Sërpska. Në fakt, është shumë e pagjasë që ajo të shndërrohet ndonjëherë në një Republika Sërpska./ REL




Skip to toolbar