Fatos Klosi: Berisha rrezikohet nga SPAK, ka zhdukur mjaft dokumente, por do e fundosin bashkëpunëtorët

AKTUALITET


Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi është i bindur se SPAK do të merret edhe me ish kryeministrin Sali Berisha. Ai deklaron se Berisha ka ditur të fshehë dokumente që e implikojnë dhe se asnjëherë nuk ka firmosur vendime që nuk janë kolektive, por gjithsesi SPAK do të përdorë mekanizma të tilla që ta zbulojë. Madje, thotë Klosi, do të jenë bashkëpunëtorët e tij që do ta fundosin Berishën.

“Unë them që Berisha duhet të jetë i rrezikuar nga SPAK, pastaj është apo jo këtë nuk e kam shumë të sigurt sepse ai është vërtet një burrë shumë i zoti. Berisha është sipas asaj fjalës së urtë: Di të vjedhësh? Di. Di të fshehësh? Nuk di. Mos vidh pra. Berisha është i zoti, ai nuk ka lënë dokumente. Ai, edhe në Këshillin e Ministrave kur ka qenë në pushtet, ka firmosur vetëm vendime kolektive. Kështu që Berishën nuk e kap dot. Por ka mekanizma të tjerë plot. Nëse ka krim në valle, krimi nuk është vetëm tek një njeri. Nuk e bën dot një njeri i vetëm. Ajo që ka ndodhur ka implikuar edhe emra të tjerë dhe mbase kështu dalin edhe emrat e atyre që kanë qenë të zotë të fshehin gjurmët”, deklaroi Fatos Klosi në një prononcim për gazetën “SOT”. Pra, ish-kreu i SHISH në një farë mënyre paralajmëroi Berishën se nga drejtësia e re nuk do të shpëtojë dot, pavarësisht se ai mund të jetë treguar shumë i zgjuar në fshehjen e skandaleve.


Klosi është i bindur se Drejtësia e Re do të vijë nga ndërkombëtarët dhe se ata kanë prova dhe dosje për politikanët shqiptarë.

“Kam besim sepse shoh edhe që politikanët po tremben. Ata janë të trembur. Të gjitha sjelljet e pazakonta të të gjithë politikanëve të mëdhenj e tregojnë këtë. Është një periudhë sjelljesh të pazakonta dhe këto tregojnë që ata diçka dinë. Sigurisht që dinë diçka më shumë se neve sepse kanë kontakte dhe mbase edhe jua kanë thënë nga pak me shaka që janë të rrezikuar. Kështu që nga kjo nisem që besoj që do të bëhet. Pavarësisht trembjes së tyre, duhet thënë se politikanët nuk e ndalojnë dot reformën. Madje, nëse do të bënin tentativa për ta ndaluar në këtë periudhë, do të binin në sy akoma më shumë dhe do të tregohej qartazi që janë të trembur. Sepse natyrisht, ndërkombëtarët që i trembin kanë prova, por hetime nuk janë bërë. Fakti që janë trembur, ata e dinë më mirë se të gjithë se çfarë kanë bërë. Këto prova që janë mbledhur janë në duart e ndërkombëtarëve”, u shpreh ish-kreu i SHISH për gazetën SOT.




Skip to toolbar