“Flakadanë, molotovë e kapsolla”, arrestohen katër nga protestuesit e Rithemelimit

AKTUALITET


4 prej protestuesve që u shoqëruan mbrëmjen e djeshme nga policia janë arrestuar. Mësohet se ata janë vënë në pranga për veprat penale të “shkatërrimit të pronës”, “goditjes për shkak të detyrës”, dhe “mbajtja e mjeteve piroteknike”. Ndalimi është kryer nga efektivë të Komisariatit nr.1 në Tiranë.

Bëhet fjalë për Kindi Toli, Andrea Malia, Bledar Kola dhe Ismet Stefanis.


Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në gjendje të lirë janë proceduar 6 protestues të tjerë.

“Ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme, duke hedhur lëndë piroteknike (kapsolla, flakadanë, molotov), në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të një insitucioni shtetëror, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë. Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, më datë 20.02.2024, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. T., 21 vjeç, A. M., 18 vjeç, B. K., 37 vjeç, dhe I. S., 33 vjeç. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 21 flakadanë të plasur; 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur; 37 bidona plastikë uji, 0.5 L; 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë; 3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së ditës së djeshme”, bëhet e ditur nga blutë e kryeqytetit.




Skip to toolbar