Të martën në mëngjes një kamion në pronësi të bashkisë së Tiranës ishte vendosur përpara oborrit dhe po transportonte dosje e dokumenta, drejt Drejtorisë së Përgjithshme të arkivave.
Adriana Kalaja, eksponente e Partisë Demokratike ka pretenduar se këto dokumenta po zhduken, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Aludime të cilat janë quajtur të rreme dhe politike nga kryetarja e deleguara e Bashkisë Anuela Ristani.
“Bashkia e Tiranës akuzohet se djeg dhe zhduk kamionë me dokumenta në mes te ditës në sytë e një zonje që është punësuar nga Partia Demokratike për t’u stacionuar në trotuarin përpara bashkisë dhe në praninë e TV Syrit të po së njëjtës Parti.
Por për cdo rast, Bashkia e Tiranës siguron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se çdo shkresë e jetës institucionale të saj, ruhet me rigorozitetin më të madh në arkivën tonë, i cili në përmbushje të ligjeve përkatëse është i vendosur në një objekt jashtë godinës qendrore dhe plotëson kushtet e ruajtjes dhe sigurimit sipas një protokolli të mirëpërcaktuar.”, tha Ristani.
Ndërkohë policia e Tiranës ka nisur një procedim në gjendje të lirë, për Adriana Kalanë, e cila pasditen e të martës, ka penguar kamionin në pronësi të bashkisë së Tiranës të kryej punën, me pretendimin se po asgjësoheshin prova.
Sipas Policisë, pengimi i kësaj makine është bërë në oborrin e Bashkisë së Tiranës, ku po transportoheshin dokumente, nga ky institucion, te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Referimi për 61-vjeçaren është bërë nga policia në Prokurorinë e Tiranës