FOTOT/ Benet Beci fillon të shpalosë projektet: Ja si do të jetë hyrja e Shkodrës

Më të fundit


Nga Benet Beci

Duke nisur prej sot, do të bëj publike një grup projektesh strategjike, të cilat janë zemra e programit tim të detajuar për transformimin e Shkodrës.


Ballinën ujore të Shkodrës me urën e Bunës, Pazarin dhe portin në Bunë shpeshherë e gjejmë në kartolina të vjetra me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Kjo zonë është gjithmonë në kujtimet e udhëtarëve nëpër shekuj si një ndër vendet më të rëndësishme simbolikisht por edhe ekonomikisht të Shqipërisë. Hyrja e Shkodrës sot, megjithëse ndër më të bukurat në Europë të jep një përshtypje jo të mirë mes trafikut, kaosit urban dhe projekteve publike të konceptuara e ndërtuara keq.

Para dy vitesh u bashkova me kauzën e ngritur në protestat shumë të drejta të shoqërisë civile dhe komunitetit Shkodran për ndalimin e punës për lotin e dytë të bypassit, i njohur më mirë si ai grumbulli i zhavorrit që pengon marrëdhënien shekullore mes qytetit e liqenit. Pas shumë përpjekjesh në fund të vitit 2021 u arrit ndalimi i këtij investimi dhe filloi angazhimi i studiove të njohura arkitekturore dhe inxhinierike ndërkombëtare dhe vendore për një zgjidhje afatgjatë, estetike dhe funksionale në shërbim të qytetarëve shkodrane. Mendoj se ia kemi arritur të kemi një projekt të jashtëzakonshëm që do të jetë guri i themelit të transformimit të Shkodrës.

Projekti është përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim 100% të Qeverisë shqiptare dhe është gati për zbatim.

Projekti përfshin krijimin e një parku buzë Bunës e cila do të krijojë parkun më të madh çlodhës dhe argëtues në Shkodër. Parku , përveçse në lulishten e vjetër do të shtrihet edhe në zonën mes dy bypasseve (Lot 1 dhe 2) duke krijuar një Koncept të ri të një parku sportiv e funksionesh të tjera rekreative që bashkëjeton me përmbytjet sezonale kur ngrihet niveli I Liqenit në dimër.

Parku do të jetë një mushkëri e qyteti plot me gjelbërim me një sipërfaqe prej rreth 18 hektarë dhe do të krijoje një marrëdhënie të re mes qytetit e liqenit si një bashkëjetesë ekologjike e në respekt të vlerave mjedisore; Një rrjet rrugësh e rrugicash për këmbësorë e biçikleta që lidhin natyrën me rrugë panoramike; një vendtakim të jashtëzakonshëm për evente publike; portin pranë urës së Bunës si një pol turistik për lundrimin e Bunës dhe liqenit dhe një muze si tribut për të shkuarën e Shkodrës.

Ky projekt përfshin edhe zgjerimin e rrugës nga Harku I Bërdicës tek Ura e Bahcallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi. Projekti do të japë edhe zgjidhjen e qarkullimit në kryqëzimet dhe në rrjedhshmërinë e trafikut nga Ura e Bahcallëkut tek rreth rrotullimi I bypass-it të ri drejt kryqëzimit në Xhabije. Do të krijojë një qarkullim normal për makinat, transportin publik dhe veçanërisht këmbësorët dhe biçikletat për të arritur në mënyrë komode një nga zonat më të bukura të qytetit tonë.




Skip to toolbar