Një ngjarje tronditëse është ajo që ka ndodhur këtë të martë në fshatin Mujalli të Fierit.
Një fëmijë vetëm 8 vjeç u rrëmbye rreth orës 9 të mëngjesit për tu gjetur më pas i groposur në shtëpinë e fqinjit të tij. Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Klodian Çalamani, i cili mësohet se jetonte i vetëm.
Ai u arrestua nga policia. Denoncimi në polici është bërë rreth orës 15:30 të së martës nga nëna e djalit, shtetasja F. V. se 8-vjeçari nuk ishte kthyer në banesë.
“Rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit Klodian Çalamani,38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.
Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj”, bën me dije Policia.
Fëmija ishte zhdukur që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm. Autori Klodian Çalamani mësohet se jetonte i vetëm.