Franca ngre alarmin e sigurisë në nivelin më të lartë pas sulmit në Moskë

BOTA


Pas sulmit terrorist në sallën e koncerteve pranë Moskës, Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë në nivelin më të lartë, njoftoi dje në mbrëmje kryeministri francez, Gabriel Attal.

Në një postim në X, dikur në “Twitter”, Attal tha se hapi, i cili ishte ndërmarrë gjatë një takimi të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të thirrur nga presidenti Emmanuel Macron, erdhi pasi grupi terrorist i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.


“Duke pasur parasysh që Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe kërcënimet që mund të prekin vendin tonë, ne kemi vendosur të ngremë “Vigipirate”, sistemi i alarmit i sigurisë kombëtare, në nivelin më të lartë: vëmendje urgjente”, tha Attal.

Alarmi për një sulm të mundshëm terrorist në Francë ka tre nivele dhe alarmi më i lartë mund të vendoset menjëherë pas një sulmi ose kur një grup terrorist i identifikuar dhe i palokalizuar bëhet aktiv.

Niveli më i lartë i alarmit vendoset për një periudhë të kufizuar kohore gjatë menaxhimit të krizës. Ai lejon mobilizimin e jashtëzakonshëm të burimeve, por edhe shpërndarjen e informacionit që mund të mbrojë qytetarët në një situatë krize. Të paktën 137 persona pasi disa persona qëlluan me armë zjarri ndaj pjesëmarrësve të koncertit në sallën e koncerteve Crocus në veriperëndim të Moskës të premten në mbrëmje.

Njëmbëdhjetë të dyshuar, duke përfshirë katër burra që besohet se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në sulm, janë arrestuar. Katër të dyshuarit kryesorë thuhet se u kapën në rajonin rus të Bryansk, i cili kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë, dhe janë dërguar në Moskë për t’u marrë në pyetje.

Dega e Shtetit Islamik me qendër në Afganistan dhe Pakistan, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por autoritetet ruse nuk e kanë komentuar ende këtë pretendim. Në vend të kësaj, presidenti rus Vladimir Putin, pa dhënë prova, ka sugjeruar se ka “gjurmë” që tregojnë përfshirjen e Ukrainës, akuza që Kievi i ka hedhur poshtë menjëhere.




Skip to toolbar