Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka deklaruar se nuk ka kërkuar një mandat të dytë në krye të institucionit që drejton, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve edhe në mungesë të një detyrimi ligjor.
Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, Ballanca theksoi se vendimi i saj është bërë i ditur që më herët në Komisionin e Ligjeve dhe në Kuvend, duke nënvizuar se një institucion si Avokati i Popullit duhet të ruajë integritetin përmes shembullit personal.
Ajo vlerësoi se në listën e kandidatëve për Avokat të Popullit ka pasur emra me kontribute të rëndësishme, të cilët, sipas saj, i japin dinjitet dhe peshë institucionit.“Së pari unë duhet të kërkoj që të kem një mandat të dytë. Unë nuk e kam kërkuar këtë gjë pikërisht për standardin. Institucioni i Avokatit të Popullit, është një institucion i pushteteve të buta, është një institucion i rekomandimit, unë nuk i kërkoj këto standarde vetëm për të tretë. I kërkoj këto standarde pa detyrim ligjor, dhe duhet që ta zbatoj edhe vetë.
Dhe vendimin tim e kam bërë të qartë në Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin e Shqipërisë. Në listën e kandidaturave, që është hera e dytë që u hap lista, herën e parë kishte emra shumë të rëndësishëm që i jepnin nder institucionit”, tha Erinda Ballanca.