Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë sot një postim në Facebook ku bën me dije se mirëmbajtësit e avionëve dhe ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të New Jersey-t kanë qenë këtë javë në Shqipëri, duke bashkëpunuar me Forcat Ajrore Shqiptare për trajnime të përbashkëta dhe mirëmbajtje të avionëve.
Në fokus të stërvitjes ishin misionet e kërkimit dhe shpëtimit, duke përdorur helikopterin Black Hawk, të njëjtin model që u përdor me sukses për shpëtimin e jetëve gjatë operacioneve emergjente pas Uraganit Sandy në vitin 2012.
Ambasada thekson se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për rritjen e kapaciteteve të përbashkëta të reagimit ndaj katastrofave dhe për forcimin e qëndrueshmërisë së aleatëve të NATO-s.
