Gazeta Dita provokon Ramën: Bëj testin e drogës

AKTUALITET


Gazeta “BILD” publikoi disa përgjime të reja që kanë lidhje me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2017 dhe përgjimet zbulojnë këtë here me audio mekanizmin e njohur prej kohësh të lidhjes së të fortëve të rrugës me piramidën e politikës shqiptare.


Qytetarit jomilitant partiak nuk i duhet edhe aq nga e kanë burimin, kush i nxori dhe pse.

Atij fillimisht i bën përshtypje gjuha e halabakëve të rrugëve, të cilët bëjnë ligjin në një parti politike, në më të madhen, më të qetën e deritashme, ku kanë milituar në vite figura të nderuara të skenës politike dhe intelektuale shqiptare.

Njeriu i zakonshëm dëgjon se si një bandit ordinier vendos se kush do të jetë kandidat për deputet; ai thërret në takim shefat e bashkive si të thërriste dy nevojtarë që shohin duart e tij; ai premton një rezultat fantastik zgjedhjesh që të habitë shefin e qeverisë, atë nga i cili pret të shpërblehet dhe “të dali i nderum” ; ai i thërret njerëzit një nga një për një kafe dhe i tregon se për cilin duhet votuar.

Nuk është as drejtues fushate, as njeri që haptas punon për një forcë politike, por thjeshtë një i rrugës. I cili e sjell partinë nëpër duar si një palë tespije.

Që PD-ja e ka pasur këtë tabiat kurdoherë, kjo është e ditur. E kanë dëshmuar si budallenj të klasit të parë në zgjedhjet e vitit 1996, e kanë përsëritur në zgjedhjen e Bashës si kryetar bashkie, e ka risjellë në zgjedhjet e vitit 2009, kur nuk lejoi të hapej se një kuti e vetme dhe dogji mes shkurreve të gjitha fletët e votimit.

Por PS-ja nuk është votuar të bëhet si ajo, por të ishte ndryshe nga ajo; ajo nuk është votuar që të nxjerrë në krye një farë Rilindje të vjedhjes dhe abuzimit, të mediokritetit, papjekurisë, amatorizmit dhe gagaçllëkut politik; nuk është votuar për të kthyer një parti të madhe që ka mbështetjen e shumicës së qytetarisë shqiptare, në kapsollë të kryetarit; është votuar të promovojë mendjet e mençura të vendit; ajo nuk ka fituar për t’u sjellë në majë të gishtërinjve nga disa banditë, por për të bërë zap banditët. Përfshirë ata që zëvendësoi në pushtet të cilët, të pandëshkuar, sot po i rikallin flakën vendit. Përfshirë oligarkët e tyre që dikur ishin bëri klientë të PD e sot janë jo vetëm klientë, por ca më keq: mentorë të Rilindjes që na shkruajnë edhe programet e qeverisjes për vitet e ardhshëm.

Në fakt banditët e kanë kapur Rilindjen dhe kjo e fundit ka kapur PS-në.

Si shkuan gjërat deri këtu, sa që njerëzit sot nuk e krahasojnë më të mirën me të keqen, por të keqen më të vogël, me të keqen më të madhe? Pse Rama gjithnjë e më shumë po rrëshket në drejtim krejt të kundërt me atë për të cilin e votuam? P

ërse të gjithë këta njerëz, të cilët janë pjesë e përgjimeve dhe të tjerë që i di edhe vetë Rama, janë rikandiduar, janë rimbështetur, janë rizgjedhur? Shefi i gjatë, i ka ditur dhe përsëri i ka promovuar. I ka njohur dhe u ka hapur rrugën. I ka dëgjuar dhe i ka mbështetur. I merr dhe në mbrojtje me shoprehje vulgare që fyejnë inteligjencën e çdo qytetari të mesëm se “kështu na ndodhka në gjithë botën”. A përnjimend?

Asnjëherë më parë PS-ja nuk ka qenë e njohur për banditizëm të tillë. Rama, përmes Rilindjes, po shkon drejt kriminalizimit të PS-së, njëjtë si bëri e po bëjnë dy B-të me PD-në.

Po bëhen dy qershia të lidhur në një rrfanë, por të prishura.

Rama, për hir të pushtetit ka shkuar larg me imazhin që duhej të kishte një forcë e majtë, progresive, më e madhja në vendin tonë, e cila ka vuajtur nga dhuna e rrugaçëve politikë dhe nuk ka menduar kurrë se duke qenë kudhër, një ditë do të bëhet çekani i së keqes.

Shkurt e shkoqur: U pëlqen apo jo disave, ai nuk duhet lejuar të vijojë kriminalizimin e mëtejshëm të forcës politike që e grabiti përmes një besimi të rremë që krijuan ata që ende sot, i rrinë pranë dhe heshtin.

PS, shumë më e pastër, më fisnike, më inteletuale dhe më qytetare se sa halabakët e PD-së, nëse vazhdon të lerë shefin në rrugën e banditizmit, do të halabakizohet përfundimisht.

Bindja po zevendëson arsyen dhe është koha, ndoshta e vonshme, që forcat e duhura brenda saj të mendojnë seriozisht që të venë më parë Shqipërinë e pastaj partinë; të vendosin nderin e fjalës dhe të jetës së tyre përpara servilizmit ndaj shefit që nesër i nxirrka në rrugë; të vendosin dinjitetin dhe të kërkojnë mëvetësinë e mendimit të tyre, duke ndryshuar sistemin e zgjedhjes, të cilën e vendosën brutalisht dy autokratë në 2008.

Reagimet skandaloze të djeshme të Ulsi Manjës për audio-përgjimet tregojnë se nuk ka asnjë reflektim, nuk ka asnjë mendim ndryshe, serioz dhe të dinjitetshëm. Kjo të frikëson, kjo e errëson edhe më të ardhmen.

Një tufë lapanjozësh sot si dje, i janë vërsulur shtetit përmes pushtetit. Shihni ku është katandisur drejtimi i PS, organet drejtuese: një kryesi me individë pa personalitet, të pashkolluar, plagjiaturistë diplomash, të verbër politikisht; partia sundohet nga kalibrat më të ulët të jetës së saj politike, nga mediokër politik të tipit Balla etj.

Pse? Sepse vetëm të tillët sundohen lehtë, por kjo është kaq banale dhe kaq e pafalshme t’i rindodhë Shqipërisë.

Rilindja po e shkëpt të majtën nga shtresa e varfër dhe e mesme, nga veteranët e luftës dhe familjet e tyre; po e ballistizon, në formë, frymë, ide, vizion, përkushtim, mendim, e në “pulari” shumë milionëshe, një forcë politike, e cila, nëse nuk reagon, pas ikjes së Ramës, sepse shpejt do të ikë, do të katandiset në një copëz të mëshirshme, por që do të jetë vonë të kuptojë se e gjitha i erdhi nga heshtja e saj, nga koka e saj dhe nga bashkimi me të keqen.

Çfarë do të lejojmë të lërë pas Edi Rama? Një parti të marrë fund? Një parti minore që nuk do të kujtohet për asgjë tjetër, veçse si iu dorëzua në fund një njeriu që e rropi, e shplau nga idetë, e vendosi në duart e horrave dhe e ktheu në një harem politik çupërlinash e dylberësh me rroba firmato dhe kokën bosh?

Ftojmë lexuesin të reflektojë mbi perspektivën e PS. Pas Ramës çfarë do mbetet: Një institucion? Sië e gjeti dhe e mori i gjati, i pashmi, karizmatiku i Rilindjes? Apo një gërmadhë? E zbrazur nga minjtë e hajdutërisë së re që braktisin anijen në mbytje?

Rama mendohej të ishte njeriu i shpresës në PS. Në fakt, ai e vrau shpresën.

Ne të Ditës kemi dhe një lutje për të.

Në shkrimin e djeshëm të gazetës gjermane ngrihej pyetja pse ai vetë dhe drejtuesit e tjerë politikë në Tiranë nuk pranojnë të bëjnë testin e drogës.

Ftojmë Ramën ta bëjë këtë test që t’u japë fund dyshimeve që është vetë një përdorues droge.

Ne të Ditës e dimë më mirë nga të gjithë që ai nuk merr drogë. Dhe ai e di, që ne e dimë.

Bëje testin Edi, mos ki frikë.

Se po e bëre ti, do ta bëjnë të gjithë e do shpëtojmë nga këta të drogumit. Si thua?

Dita.al




Skip to toolbar