Gërdeci/ Dëshmon ish-drejtor i MEICO: Patrick Henry propozoi krijimin e një linje demontimi

AKTUALITET


Ylli Pinari ish drejtor i MEICO dëshmon në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ka patur një debat mes palëve, pasi Pinari nuk ka pranuar në fillim të japë dëshminë e tij, më pas ka vijuar me dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, Arben Kraja dhe Klodian Braho.

Pinari ka treguar se kompania që ai drejtonte, MEICO nuk ka qenë përgjegjëse për përcaktimin e vendit se ku do të ngrihej fabrika e demontimin të armëve. Sipas tij MEICO nuk ishte asnjë rol në përcaktimin e vendit për demontimin e armëve, por kanë qenë struktura të tjera të ministrisë së mbrojtjes së asaj kohe.


Kujtojmë se Pinari ka qenë i dënuar në procesin Gërdeci me 29 të pandehur. Ai u shpall fajtor në dosjen e parë “Gerdeci”, ndërsa sot rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henri, përfaqësuesin e SAC, kompani që ishte e përfshirë në demontimin në Gërdec. Pinari dëshmoi se Patrik Henri kishte krijuar në Shqipëri kompaninë AlbaDemil ku bashkëaksioner ishte Mihal Delijorgji.

“MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linjë demontimi.”- tha ai.

Procesi ndaj Fatmir Mediut nisi pas një kallzimi të familjes Durda e cila humbi në atë kohë djalin nga shpërthimi. Ish ministri i Mbrotjes akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Në procesin ndaj zotit Mediu, mes dëshmitarëve u thirr edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha si edhe ish ministri Aldo Bumçi.

Nga shpërthimi në fabrikën e demontimit në Gërdec më 15 mars 2008, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.




Skip to toolbar