“Gërdeci”/ Përfundojnë dëshmitarët e SPAK, përveç Anjola Agollit. Seanca e radhës më 24 prill

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme vendosi këtë të martë të administrojë procesverbalin e dëshmisë së ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha në gjyqin për Gërdecin ku Mediu është marrë i pandehur.

Vetë Mediu e kundërshtoi, duke kërkuar një video dëshmi me të.


Jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme, Mediu tha se është qartësisht tentativë për të mos e marrë në pyetje.

Për Luan Hoxhën, u vendos të administroheshin dëshmitë e dhëna me datë 17 shkurt 2009, si person i pandehur.

Ndërkohë nga avokatët e Mediut dhe nga avokati i viktimave u këmbëngul që Luan Hoxha të pyetet me letërporosi ose përmes videokonferencës.

Por, sipas prokurorit kjo gjë është e pamundur pasi nuk ka një adresë të saktë të vendndodhjes së tij në SHBA.

Mediu ka kërkuar që ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha të japë sa më parë dëshminë e tij edhe pse ndodhet në SHBA.

“Duket qartësisht se ata që janë dëshmitarë kryesorë nuk kanë pranuar të pyeten. Shefi i shtabit duhet patjetër të japë përgjigje disa pyetjeve për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Nuk është kaq e vështirë për të gjetur adresën e një qytetari në SHBA.”

Edhe në këtë seancë nuk u paraqit Anjola Agolli, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë.

Familjarët e kësaj të fundit kanë thënë se ajo ishte jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme ka kryer verifikimet në sistemin TIMS dhe del se Agolli ndodhet në Shqipëri dhe është kërkuar gjetja e kësaj të fundit për një fax të kohës me një mbishkrim “Për Shkëlzen Berishën”.Seanca e radhës do të mbahet më 24 prill, në orën 12:00. 




Skip to toolbar