“Gjermanët vlerësonin Mehmet Shehun”, Kasmi: Për Enver Hoxhën ka pak informacion

#NËRADAR


Dokumentet gjermane hedhin dritë mbi shumë ngjarje të rëndësishme të luftës së dytë botërore në Shqipëri. Madje, ato zbardhin shumë dilema për tema që ende në Shqipëri mbeten objekt i madh debati. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse në dokumentet historike të ushtrisë gjermane bëhet analizë e personazheve shqiptare të kohës, historiani Marenglen Kasmi tha se analiza bëhet kryesisht për ato personazhe që drejtonin luftën.

Sipas tij, Mehmet Shehu gjen më shumë përshkrim në dokumentet e ushtrisë gjermane se sa Enver Hoxha. Sipas Kasmit, kjo ndodhte për shkak se Enver Hoxha ishte drejtues politik dhe për gjermanët nuk kishte shumë interes ky personazh. Ndërsa Mehmet Shehu ishte drejtues ushtarak, ndaj ai analizohej më me detaj për shkak të përballjes direkte me gjermanët.


“Të gjithë gjejnë vlerësime, unë përmenda Xhafer Devën, Bedri Pejanin, që vlerësohen si njerëz të besuar. Ka vlerësime dhe për kundërshtarët. Për Enver Hoxhën ka shumë pak informacion. E para ai ruhej duke qenë drejtues politik. Më shumë merrte Mehmet Shehu vëmendje, që ishte njeri i pushkës. Enver Hoxha vendosej në rreth të zi si komunist”.

“Më shumë vlerësime gjejmë për Mehmet Shehun, madje dhe pozitive në pikëpamjen ushtarake. Gjatë operacionit të qershorit të 1944, lufton Brigada e V partizane me një batalion gjerman. Përleshen gjatë natës dhe kërkojnë të largohen  nga njëri-tejtri. Dhe thonë që duhet të kemi luftuar kundër Brigadës I të Mehmet Shehut se ishin shumë të përgatitur. Në fakt ishte Brigada e V. Tregon që ky formacion kishte mbështetjen më të mirë, kishte armatimin më të mirë”.

“Kemi një vlerësim të Komitetit Kombëtar, që fillon me Lef Nosin. Madje për Lef Nosin ky vlerësim që bëhet, e shikon drejtues ballist me karatker frikacak. Ka frikë të madhe nga gjermanët. Më përpara ishte aq pro britanik sa mund ta akuzoje si agjent anglez. Nuk u interesonte gjermanëve se çfarë do ndodhte me shqiptarët pas largimit të tyre. Për ta ishte synim i pastër ushtarak, dhe ndaj vlerësohet pala ushtarake. Enver Hoxha dihej që pas lufte do merrte drejtimin”.

Në konsideratën personale, Marenglen Kasmi e vlerëson Mehmet Shehun personazhin më të rëndësishëm të kohës. “Për mua Mehmet shehu ishte personazhi më i rëndësishëm i asaj kohe. Gjatë historiografisë komuniste mbivlerësohej roli i Enver Hoxhës. Pas majit të 1944, aty merr Enver Hoxha dhe rolin e tij si Komandat i Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm ishte i përfaqësuar nga të gjitha rrymat e mundshme. Për mua roli i Enver Hoxhës ka pësuar një fryrje në atë që ka ndodhur gjatë luftës”, tha Kasmi./Realstory.al/




Skip to toolbar