Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Mentor Nazarko foli për zgjedhjet në Gjermani, luftën në Ukrainë, duke u ndalur edhe tek qëndrimet e presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë fjalës së tij Nazarko u shpreh se kriza ruso-ukrainase, afektoi zgjedhjet gjermane, duke nënvizuar se gjithashtu konflikti solli edhe pasoja ekonomike.
“Kriza ruso ukrainase afektoi edhe zgjedhjet gjermane. Gjermania është një vend i lidhur historikisht me Rusinë, me gazsjellësit. Konflikti solli pasoja ekonomike, rritja e së djathtës është pasojë e drejtpërdrejtë e konfliktit. Merz tha se ndërhyrja e tyre është e ashpër si e Rusisë, nuk tha që Rusia dhe Amerika janë në të njëjtën linjë. Gjermania është një nga ekonomitë më të rëndësishme të botës, kur vjen puna tek roli i Amerikës, mendoj që duhet lexuar, jo me optiken e Boris Johnson, ftohtë.
Kur Trump thotë se po arrin të firmosë marrëveshje për mineralet e rralla, kompanitë amerikane nuk shkojnë në një terren që do të jetë në luftë e sipër. Amerika nuk është duke kufizuar kontributin ushtarak. Nuk po shohim reduktim të sanksioneve të SHBA, ndaj Rusisë, kemi vijueshmëri të politikës amerikane republikane me atë demokratë”, tha ndër të tjera Nazarko.