“Gjermania synon t’i thotë PO negociatave”

AKTUALITET


Ambasadori i ri i Gjermanisë Petert Zingraf ka konfirmuar atë që prej ditësh flitet nga media që synimi i Gjermanisë është t’i thotë po çeljes së negociatave me Shqipërinë. Këtë deklaratë ambasadori i ri gjerman e ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar të mërkurën me Kryetarin e Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Ambasadori Petert Zingraf nënvizoi se është i lumtur që ka filluar misionin e tij në Shqipëri dhe se i jepet mundësia të kontribuojë në forcimin e  bashkëpunimit midis të dy vendeve. “Kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe BE-në. Synimi i Gjermanisë është t’i thotë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë”, nënvizoi Ambasadori Zingraf.


Kryetari Ruçi e uroi Ambasadorin Zingraf për detyrën e tij të re dhe shprehu besimin se gjatë këtij mandati marrëdhëniet midis të dy vendeve do të fuqizohen më tej. “Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës. Ne i jemi mirënjohës Bundestagut, qeverisë gjermane dhe personalisht Kancelares Merkel për fokusin e tyre të veçantë ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së rrugëtimit tonë europian. Shpresojmë që kjo mbështetje do të vazhdojë dhe se Bundestagu dhe Qeveria gjermane do tu thonë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian të tetorit”, vuri  në dukje Ruçi.

Të premten pritet që kryeministri Rama të zhvillojë një vizitë zyrtare pune në Berlin ku në qendër të bisedimeve do të jetë pikërisht vendimi që Gjermania do të marrë për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Qëndrimi i Gjermanisë merr një rëndësi të veçantë në prag të mbledhjes së Këshillit të Evropës më 18 tetor, ku do të merret vendimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.




Skip to toolbar