Gjykata e Lezhës lë në burg portugezin që ekzekutoi Nikulajn

AKTUALITET


Nën masa të rrepta sigurie, është paraqitur këtë të Mërkurë në Gjykatën e Lezhës portugezi i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Siç raporton gazetari i Klan News Martin Marku, është lënë në fuqi masa e “arrestit me burg” për Ruben Saraivën.

Kujtojmë se seanca e caktuar më 11 Mars u shty për arsye se avokati i Saraivës nuk ishte njohur me fashikullin e dosjes hetimore. Avokati Kujtim Cakrani bëri me dije se nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë klientin e tij si autor të vrasjes së biznesmenit. Sipas tij, policia dhe prokuroria kanë më shumë dyshime, sesa prova.


Edhe sot ai pretendon se Prokuroria ka vetëm një dëshmi të një gruaje e cila siç deklaron ai, është marrë në pyetje në gjendje të rënduar psikologjike dhe pa prezencën e avokatit. Çështja ndaj Saraivës do të apelohet në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditësh.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 Prill të vitit të shkuar rreth orës 13:30 brenda lokalit në pronësi të Nikulajt, në Lezhë. Ky i fundit ishte i ulur në një nga tavolinat, kur autori futet brenda dhe e qëllon 7 herë në kokë dhe trup. Arrestimi i Saraivës u bë i mundur rreth një muaj më vonë në Marok.

Saraiva erdhi në Shqipëri në 14 Shkurt të 2023 dhe sipas Policisë dhe Prokurorisë së Lezhës për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, ai u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë, duke mësuar shqip dhe bërë humor me qytetarët e zonës.

Në kërkim si një nga bashkëpunëtorët kryesore të ngjarjes, mbetet ende shtetasi anglez, Harry Simpson, i cili u lagua nga Rinasi me destinacion Anglinë. Në Angli ndodhen të ndaluar dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit, 4 nga autorët e ngjarjes, 3 britanikët vëzhgues dhe Edmond Haxhia. Autoritetet thonë se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen.




Skip to toolbar