Gjyqtarja Hoxha kishte firmosur lirimin me kusht, për të dënuarin për vrasje

AKTUALITET


Mëngjesin e sotëm gjyqtarja Enkeleda Hoxha kishte shkuar në zyrë si çdo ditë, por pak minuta pas nisjes së punës është përballur me oficerët e SPAK, të cilët e kanë arrestuar.

Hoxha kishte firmosur lirimin me kusht të shtetasit Saimir Petani i ekstraduar nga Italia dhe i dënuar me 25 vite për vrasjen e Romeo Beqirin, i cili vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Për lirimin e tij, Hoxha akuzohet se ka marrë një shumë parash bashkë me avokatin Aldo Tabaku. Ky i fundit rezulton pothuajse në të gjitha vendimet e dhëna për liri me kusht nga gjyqtarja Hoxha.


Mes të arrestuarve është edhe vëllai i të dënuarit, Bledar Petani i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal.

Vetë personit që do përfitonte nga liria me kusht teksa priste të linte qelinë i është komunikuar sot akuza për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Altin Skëndaj, i arrestuar sot gjithashtu ka njohje me Saimir Petanin dhe ka dhënë paratë në emër të tij, Gazmir dhe Gentjan Nezaj, kanë ushtruar ndikim për shkak të njohjes me gjyqtaren dhe avokatin. Eksperti Shkëlqim Korbi ka kryer një ekspertim në favor të të dënuarit për vrasje. Ai akuzohet për veprën penale “Ekspertim i rremë”.




Skip to toolbar