Goditet banda kriminale në Korçë, kapen 12 trafikantët

AKTUALITET


Policia e Korçës ka finalizuar operacionin “Piramida”, duke goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërndarjes të drogave të forta në qarkun e Korçës.

Gjatë aksionit, policia ka vënë në pranga 12 trafikantë, Ahmetion Myslimi, Mariglen Arapi, Mario Tanellari, Xheljan Ajdini, Elvi Tahiri, Niko Janko, Mikail Mejdi, si dhe pesë shtetas të tjerë të grupit të arrestuar më herët nga policia Redin Naçi, Ismail Matja, Artur Bezo, Aleks Qiqi dhe Sergi Xhaferi.


Njoftimi i policisë:

Operacioni, në vijim të dy operacioneve antidrogë të finalizuar më parë “Lapidari” dhe “Pusteci”, pas një hetimi disa mujor, zhvilluar nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët në DVP Korçë, Prokuroria, Policia Kufitare Korçë në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Goditet një grup i strukturuar kriminal, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërndarjes të drogave të forta në qarkun e Korçës.

Shkon në 12 numri i të ndaluarve, vihen në pranga edhe 7 persona të tjerë (organizatori i grupit, poseduesit dhe transportuesit e lëndëve narkotike), bashkëpunëtorë me 5 të arrestuarit më parë nga Policia.

Sekuestrohen 1 armë gjahu, sasi e dyshuar narkotike kanabis, automjete, celularë, sasi në lekë dhe euro.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale pranë Policisë së Shtetit, pas një pune intensive hetimore disa mujore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Piramida”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:

A. M., 23 vjeç, banues në Çiflig, Korçë (në rolin e transportuesit).

M. A., 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (në rolin e transportuesit).

M. T., 37 vjeç, banues në Moravë, Korçë (i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh, në rolin e organizatorit të grupit).

Xh. A., 28 vjeç, banues në Korçë (në rolin e poseduesit).

E. T., 39 vjeç, banues në Korçë (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, subjekt i OFL-së për të deklaruar pasurinë, në rolin e poseduesit).

N. J., 53 vjeç, banues në Moravë, Korçë (në rolin e poseduesit).

Si edhe u arrestua në flagrancë shtetasi M. M., 33 vjeç, banues në Borovë, Kolonjë (në rolin e poseduesit).

Falë një pune intensive hetimore dhe provave të grumbulluara, u bë e mundur që në fazën e dytë të operacioneve “Lapidari” dhe “Pusteci”, të finalizuar më datë 08.11.2020, 14.01.2021, në Vithkuq-Korçë dhe Cerje-Pustec, si edhe ngjarjes së ndodhur më datë 08.06.2020, në Kolonjë, të dokumentohej me prova ligjore, implikimi i 7 shtetasve të lartpërmendur në aktivitetin e paligjshëm që ushtronte ky grup i strukturuar kriminal.

Konkretisht lidhur me operacionin e koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit R. N. dhe I. M. dhe u sekuestrua në cilësinë e provës 21 kg e 500 gr, lënde e dyshuar narkotike kanabis, nga hetimet e kryera rezultoi se transportues të lëndës narkotike përveç dy të arrestuarve ishin edhe shtetasit A. M., dhe M. A. Në rolin e organizatorit të këtij grupi rezulton të jetë shtetasi M. T., dhe posedues të sasisë së lëndës narkotike shtetasit Xh. A. dhe E. T.

Në lidhje me operacionin “Lapidari”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B. dhe A. Q. dhe u sekuestrua 2 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kanabis, u dokumentua se lënda narkotike ishte blerë për shtetasin M. T.

Si edhe në lidhje me ngjarjen e datës 08.06.2020, ku në Kolonjë u arrestua në flagrancë shtetasi S. Xh. dhe u sekuestrua 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, u dokumentua se të implikuar në këtë ngjarje ishin shtetasit N. J. dhe M. M., në lokalin e të cilit në Ersekë, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të dyshuar narkotike kanabis.

Në cilësinë e provës materiale në ngjarjet e mësipërme u sekuestruan në total 23 kg e 600 gr sasi e dyshuar narkotike kanabis; 6 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë; 1 armë gjahu teke; 7 automjete; 16 celularë; sasi në lek dhe euro.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar