Grabitja te “Myslym Shyri”, policia 5000 euro shpërblim: Kush ka informacion për autorin

AKTUALITET


I veshur me xhup të kuq, me maskë të zezë në fytyrë dhe një pistoletë! Këto janë të dhënat paraprake për autorin ende të paidentifikuar të grabitjes së sotme në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë. Policia ka bërë publike foton e kapur nga kamerat e sigurisë, ndërsa bën me dije se ai ka arritur të marrë disa aparate celularë.

Teksa forcat “Shqiponja” janë vënë në ndjekje të tij, Policia e Shtetit jep 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi grabitjen.


Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.02.2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Myslym Shyri”, një person me maskë të zezë dhe me një xhup të kuq, nën kërcënimin e një sendi të dyshuar si armë zjarri pistoletë, ka marrë disa aparate celular në dyqanin e shtetasit M. F., dhe më pas është larguar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e dokumentimin e autorësisë të kësaj ngjarje. DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e tij. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrat e telefonit 112 dhe +355 69 410 0118 duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.




Skip to toolbar