Fushata kap qiejtë: Grevë në Rinas “për llogari të Metës”

AKTUALITET


Fluturimet në aeroportin ‘Nënë Tereza’ janë pezulluar pasi ministrja e Infrastrukurës, Belinda Balluku dështoi të arrijë një marrëveshje me kontrollorët që kanë pezulluar punën.

Mësohet se nuk do të ketë asnjë ulje-ngritje avionësh pasi s’ka punonjës në kulla për të kontrolluar. Kjo do të vijojë deri në orën 10:00 të datës 8 prill.


Madje edhe tek mbikalimet nuk do të ketë punonjës për të njoftuar nëse është qielli i lirë për avionët apo jo.

65 punonjës të AlbControl kanë pezulluar punën për shkak të pagave të tyre, stresit në punë dhe kërkojnë zgjidhje të kontratës. Balluku sot nuk arriti t’i bindë për një marrëveshje, dhe kjo ka sjellë edhe pezullimin e të gjitha fluturimeve siç njofton edhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, ICAO.

foto galeri

Ndërkohë në një prononim për mediat Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se gjithçka është në kuadër të fushatës elektorale, për të bllokuar vaksinat, që do të vinin mbrëmjen e sotme në Aeroportin e Rinas.

“Pavarësisht se kanë zgjedhur këtë mënyrë për të operuar, kjo është një grevë e pastër në thyerje të Kodit të Punës, sepse janë arsyetuar të gjithë në të njëjtin moment, duke deklaruar paaftësi. Unë e kuptoj Sali Berishën, sepse e gjitha kjo është një organizim i mirëfilltë politik, në një moment fushate. Për shkak të fushatës elektorale dhe për shkak të të gjitha skemave politike, që po aplikohen, sot në aeroportin e Rinasit nuk do të vijnë dot vaksina, që do të vinin sot pasdite. Sot në Aeroportin e Rinasit, për shkak të kësaj fushate, brenda fushatës elektorale për të nxirë faqen e Shqipërisë, për të prishur imazhin, po ndodh dhe diçka tjetër, po afektohet e gjithë shoqëria.

Sot nëse dikush që është i sëmurë, dhe duhet të kthehet në shtëpi, s’mund të kthehet, se kontrollorët janë të mërzitur se paga e tyre është 2 mijë e 490 dollarë. Një që ka vdekur, e do të varroset këtu, sepse nuk do Sali Berisha, që ka përdorur një gjuhë ekstremisht të ashpër, duke gëzuar gjithmonë në probleme që ky has. Çudi e madhe si ushqehet me këtë gjë. Sidomos për dezinformimet e shpifjet e mashtrimet, qytetari dixhital, kontrollori dixhital.

Ne ndërkohë, do i kërkoja Metës që edhe i ka takuar kontrollorët edhe ka kërkuar informacion nga Albcontrol, dhe ia ka dërguar Presidentit, që të shprehet sot publikisht për këtë situatë. A mundet shteti të kompensojë kontrollorët kur nuk ka pasur kurrë involvim financiar, a mundet sot shteti, Meta i ka të gjitha të dhënat, i ka edhe pagat para 2020, edhe sot. A mundet shteti të kapet peng nga një grup njerëzish që të kërkojnë të marrin 15 rroga sa ç’merr një shqiptar? 4 mijë e 400 dollarë, për një person, do të ishin njësoj sa 14 shqiptarë. Dikush mbrëmë gjatë negociatave kishte thënë, por 60 jemi ne nuk u bë nami. Jo, ju doni sa 600 shqiptarë. A mendon Meta se duhet të bllokohet trafiku ajror, e mos vijnë vaksina, e mos lëvizë askush, as ata për të ikur, as ata për t’u larguar. As të sëmurët. A duhet vallë vendi të kapet peng. Ky është grusht shteti, nga disa persona që janë të pakënaqur me pagën 2 mijë e 490 dollarë. Dhe nëse nuk ja bëjnë 4 mijë e 400 dollarë mbajnë vendin peng”, tha Balluku.




Skip to toolbar