Për 48 orë, të gjitha pikat kufitare tokësore me Greqinë do të jenë të mbyllura. Shkak është bërë greva e sindikatës doganore në shtetin helen, ku si pasojë pikat e kalimit kufitar të Kakavijës, Kapshticës, Qaf -Botë dhe Tre Urat do të jenë të mbyllura. Lajmi, u bë publik nga autoritetet greke të cilët kanë njoftuar homologët shqiptarë se nga ora 5.30 minuta e mëngjesit të sotëm (2 prill) deri më 5.30 të mëngjesit të 4 prillit në asnjë nga pikat e kalimit tokësor nuk do të lejohet kalimi i autoveturave autobusëve dhe kamionëve, teksa do të lejohen personat që janë në këmbë pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore.
Greva, gjithashtu , pritet të paralizojë lëvizjen e mjeteve drejt Greqisë në të gjitha pikat doganore që lidhin shtetin helen me vendet e rajonit.
Policia e Shtetit, i bën apel shtetasve shqiptarë që në këtë periudhë kohore, të evitojnë kalimin deri në përfundim të grevës së doganierëve, ndërkohë që ky institucion është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe pritet të ketë njoftime të tjera për çdo ndryshim.