Hajdari: Plan veprimi me hapa konkrete për integrimin

AKTUALITET


Rudina Hajdari ka shprehur keqardhjen për vendimin e Këshillit të Europës për të mos çelur negociatat me Shqipërinë, ndërsa ka hedhur idenë e hartimit të një plan veprimi me hapa konkrete që duhet të marrë parlamenti, qeveria dhe të gjitha institucionet në Shqipëri për të përmbushur të gjitha kushtet që rrjedhin nga dokumenti i Bundestagut gjerman por dhe kërkesat e Francës dhe vendeve të tjera skeptike. Hajdari shkruan se e gjithë politika duhet të ulet në një tryezë të përbashkët dhe të vendosë në qendër të tij qytetarin. “Nëse fillojmë e punojmë për qytetarin, dyert e Europës do të jenë të hapura”, shkruan Hajdari.

“Vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave, siç ju të gjithë e dini tashmë, është negativ edhe këtë vit dhe vjen për të disatën herë.


Është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qënë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër.

A ka ndonjë përgjegjës në këtë vënd për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me Azilkërkuesit në Francë.

Sot është e rëndësishme që Qeveria Shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e tjera kushtetuese dhe të krijuara me ligj, të marrin në dorë përfundimet e Këshillit Europian, të reflektojnë seriozisht mbi çfarë përmban ky dokument.

Çdo fjali e këtij dokumenti është një udhëzues i mirë për politikat e ardhshme, prandaj i kërkoj qeverisë shqiptare të marrin masat e menjëhershem që të hartojë një plan të detajuar masash, për të gjitha pikat e këtij dokumenti, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qënë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi”, shkruan Hajdari.

Sipas saj, plani duhet të përmbajë hapa konkret, dhe proaktive sikurse edhe e rekomandojnë të gjitha dokumentat e organeve të Bashkimit Europian pë Shqipërinë.

“Duhet të ulemi në tryezë të flasim për cdo pikë, pa dallimi politike, apo të cdo lloj përkatësie tjetër, ku në qëndër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar, familjet shqiptare, fëmijët e këtij vendi dhe duhet të pyesim çfarë të ardhme po i japim? Hyjmë apo nuk hyjmë në Europë, për mua ka rëndësi qytetari dhe në qoftë se vendosim në plan të parë atë, ju siguroj që dera e Europës do të jetë e hapur”, përfundon deputetja demokrate.

Liderët e KE nuk arritën në një përfundim unanim për çeljen e negociatave për Shqipërinë në Samitin e Brukselit, duke e shtyrë vendimin pas procesit të reformimit të BE-së, kërkesë kjo e bërë me këmbëngulje nga presidenti francez./realstory.al




Skip to toolbar