Harta e re, shkrihen 9 gjykata e prokurori! Nga Korriku reduktohen edhe Gjykatat Administrative

AKTUALITET


Faza e dytë e zbatimit të hartës së re gjyqësore mbyll nga sot 9 gjykata dhe prokurori të shkallës së parë në rrethe. Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë ajo e Tropojës, Matit, Kurbinit, Pukës, Krujës , Kavajës, Lushnjës, Përmetit edhe Pogradecit.

Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë së bashku me to shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore, që ka sjellë dërgimin e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë. Konkretisht Gjykata dhe Prokuroria e Tropojës zhvendoset në Kukës, e Matit në Dibër, e Kurbinit në Lezhë, e Pukës në Shkodër, e Krujës në Tiranë, Kavaja i bashkangjitet Gjykatës së Durrësit. Gjykimet dhe hetimet e çështjeve të Lushnjës kalojnë në Fier, të Përmetit transferohen në Gjirokastër dhe dosjet gjyqësore dhe hetimore penale dhe civile nga Pogradeci në Korçë.


Në çdo prokurori dhe gjykatë të mbyllur do të mbahen hapur sportelet për të depozituar paditë që sidoqoftë më pas delegohen për gjykim dhe hetim në qytetet e mësipërme.

Faza e tretë hyn në fuqi në 1 Korrik të këtij viti dhe parashikohet reduktimi i të gjitha gjykatave administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.




Skip to toolbar