Harxhi në Real Story: Leksionet që na dha Kosova. E bindur për koalicion VV-LDK

#NËRADAR


Ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edith Harxhi, e ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, e cilësoi procesin zgjedhor në Kosovë si “votim skandinav”. Ajo vlerësoi lartë standardet e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, duke u shprehur se i dhanë Shqipërisë disa leksione. “Vetëvendosja nuk është ajo që ka qenë më përpara. Ka evoluar shumë. Leksioni i parë është ai i qytetarisë në zgjedhjeve. Unë e kam quajtur “votim skandinav”. Ishin zgjedhjet që kishin numrin më të madh të votuesve. E dyta, është mënyra e pranimit të rezultatit, normalisht dhe numërimi aq i shpejt, tregon që KQZ funksionon shumë mirë atje, nuk mund të them që është e depolitizuar krejtësisht”, tha Harxhi.

Duke vlerësuar pranimin e rezultatit nga partitë politike në Kosovë, Edith Harxhi u shpreh se edhe në këtë aspekt ishte leksion për Shqipërinë. Ndërkohë, sipas Harxhit, diferenca e ngushtë mes dy partive fituese, e bën normale kontestimin e rezultatit. “PDK, Veseli doli e pranoi humbjen. Ishte mjaft e mirë për Kosovën dhe një leksion për Shqipërinë. Me një rezultat aq të ngushtë, i ndan vetëm 1 deputet, në çdo vend demokratik të botës do kishte një lloj kontestimi. LDK duhet ta kishte bërë që dje. Por nëse shihni kontekstin pse kërkuan për rinumërim, ishte për mënyrën e printimit të fletëve”, tha Edith Harxhi.


Më tej, diplomatja shqiptare, shprehet se LDK është në pozicion komod për negociatat e koalicionit qeverisës. Edith Harxhi vlerëson dy figurat kryesore të opozitës, që fituan zgjedhjet, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. “LDK është në pozicion komod për negociatat. Ajo që është më e rëndësishme është ardhja e dy të rinjve. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Një zonjë që ka kritikuar shpeshherë linjën kryesore të partisë së saj, por është pranuar si e tillë. Baza e LDK-së ishte ajo e vjetra, por Mustafa duhet përgëzuar”, tha Harxhi.

Në këtë kontekst, ajo bëri një analogji të LDK-së me simotrën e saj në Shqipëri, Partinë Demokratike. Duke krahasuar figurën e Isa Mustafës për ruajtjen e unitetit në parti, ajo kritikoi Berishën, që nuk bëri të njëjtën gjë në PD, duke i lënë dorë të lirë Bashës për largimin e kritikëve nga partia. “Ndonjëherë unë bëj dhe analogji me Shqipërinë, ndonjëherë është shumë e vështirë të ruash unitetin politik. Ajo që ndodhi me LDK, edhe ata që ishin kundër Vjosa Osmanit, u zgjodhën në krye të fushatës. Fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri. Në rastin aktual, për mua LDK është fituese morale e këtyre zgjedhjeve”, tha Harxhi.

Në fund, ajo u shpreh se sfida më e madhe për dy partitët fituese nuk do të jetë koalicioni qeveritar, por dialogu me Serbinë. “Albin Kurti, tregon një trend shumë pozitiv për gjeneratën e re të politikanëve. Dy vitet e fundit është maturuar shumë. Për mua sfida kryesore nuk është thjesht krijimi i qeverisë së Kosovës, është dialogu me Serbinë. Këto dy parti do të jenë ato që do të drejtojnë dialogun në Kosovë”, shtoi Edith Harxhi. Ajo shtoi se mbi të gjitha Kosova edhe pse nuk ka qenë shtet, nuk del mbi ligjet e shtetit dhe i respekton ato, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri. /Realstory.al/




Skip to toolbar