“Hesht, burrë i vogël”, Musk dhe Rubio përplasen me ministrin e Jashtëm polak

BOTA


Elon Musk nuk di të ndalet. CEO i Tesla-s dhe platformës ‘X’ duket se ka gjetur një “armik” të ri, pas përplasjeve me figura dhe ministra ndërkombëtarë. Viktima e tij e fundit është ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, i cili “guxoi” të komentojë mbi koston e Starlink, për të cilën Polonia si çdo shtet tjetër paguan për llogari të Elon Musk.

“Starlink për Ukrainën u pagua nga Ministria Polake e Dixhitalizimit me një kosto prej rreth 50 milionë dollarë në vit. Pavarësisht nëse është etike të kërcënosh viktimën e agresionit, nëse Space X provon të jetë një ofrues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë ofrues të tjerë”, shkroi ai.

Musk u përgjigj në mënyrë agresive, duke thënë: “Hesht, burrë i vogël“.

“Ju paguani një pjesë shumë të vogël të kostos. Dhe nuk ka asnjë zëvendësues për Starlink”, vijoi përgjigja e tij.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio gjithashtu ndërhyri në këtë çështje , duke kritikuar postimin fillestar të Sikorskit dhe duke i kërkuar atij të “thotë faleminderit“.

“Askush nuk kërcënoi se do t’i ndërpresë aksesin Ukrainës në Starlink. Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlink, Ukraina do ta kishte humbur luftën shumë kohë më parë dhe rusët tani do të ishin në kufirin e Polonisë”, shkroi Rubio.

Sakaq, në një postim të mëvonshëm, Musk mohoi se kompania e tij do të ndërpresë aksesin e Ukrainës në Starlink.

“Aq sa nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, Starlink nuk do t’i mbyllë kurrë terminalet e saj. Ajo që po them është se pa Starlink, fronti ukrainas do të shembet pasi rusët do të bllokonin të gjitha komunikimet e tjera. Ne nuk do ta bënim këtë dhe nuk do ta përdornim si mjet pazari”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, qeveria amerikane tashmë ka revokuar një pjesë të aksesit të Ukrainës në imazhet satelitore dhe ka ndaluar ndarjen e informacionit ushtarak me Kievin.

Po ashtu, negociatorët amerikanë po i bëjnë presion Kievit për t’i dhënë SHBA-së akses në mineralet kritike dhe kanë ngritur mundësinë e ndërprerjes së aksesit të vendit në rrjetin Starlink. 



Skip to toolbar