Hiqet taksa 15% për dhurimin e pronës, por me kushte

AKTUALITET


Komisioni i Ekonomisë votoi pro amendamentit të propozuar nga deputetët socialistë Evis Kushi dhe Sadi Vorpsi. Amendamenti në fjalë shtohet në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat. Konkretisht, nëpërmjet këtij amendamenti, mundësohet përjashtimi nga detyrimi i pagesës për tatimin prej 15% për të gjitha rastet e kalimit të të drejtës së pronësisë së banesës apo truallit, nëpërmjet dhurimit. Në fakt, sipas deputetes socialiste Evis Kushi, amendamenti ka kufizime, pasi përfituesit janë trashëfimtarët e shkallës së parë, burrë, grua apo fëmijë.

“Shumë falenderime për të gjithë kolegët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të cilët e mbështetën dhe e votuan pro amendamentin që unë dhe kolegu Sadi Vorpsi kishim dorëzuar në lidhje me projektligjin për tatimin mbi të ardhurat. Falë këtij amendamenti mundësohet përjashtimi nga detyrimi i pagesës së tatimit prej 15% për të gjitha rastet e kalimit të të drejtës së pronësisë së banesës apo truallit, nëpërmjet dhurimit, brenda trashëgimtarëve në shkallë të parë (burrë, grua apo fëmijë). Miratimi i këtij amendamenti është në linjë me përmbushjen gjithnjë e më shumë nga kjo maxhorancë të objektivave sociale”, shkruan deputetja socialiste në një reagim të saj.


Në variantin fillestar të propozimit ishte parashikuar që të kishte një kufizim, kur vlera e banesës apo pronës shkonte deri në 30 milionë lekë. Nëse vlera kadastrale shkon mbi këtë shumë, atëherë dhuruesi do të paguajë 3% të vlerës. Ndërkohë, deputetët e opozitës në parlament propozuan që fokusi i këtij amendamenti të përfshinte edhe godinat e biznesit.




Skip to toolbar