Lamtumirë Gert Bogdani! Ish-deputeti përcillet me homazhe, u nda nga jeta pas arrestit kardiak

AKTUALITET


Lamtumirë Gert Bogdani! Ish-deputeti i Partisë Demokratike u përcoll këtë të enjte me homazhe për në banesën e fundit. Trupi i tij, siç kanë njoftuar familjarët, do të prehet në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Prej orës 10:00, Kuvendi i Shqipërisë hapi dyert për homazhe për ish-deputetin demokrat Gerti Bogdani. Ai humbi jetën një ditë më parë në mënyrë të beftë për shkak të një ataku kardiak në moshën 44-vjeçare.

Në vitin 2009, Bogdani hyri në Parlament si deputet i PD, duke qenë ligjvënësi me i ri i legjislaturës dhe qëndroi për dy mandate.

Në Partinë Demokratike është aktivizuar gjerësisht edhe si drejtues i Forumit Rinor dhe tentoi pa sukses të kandidonte për bashkinë e Tiranës në vitin 2023.

Kush ishte Gerti Bogdani

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), politikan shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Pasi mbaroi shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’, gjithashtu me medalje ari.

Pas përfundimi të studimeve Bogdani u rikthye në Shqipëri, ndërsa filloi karrierën profesionale në fushën akademike, ndërsa themeloi dhe drejtoi rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë.

Në vitin 2007, Bogdani bëhet pjesë e politikës. Ai kandidoi në siglën e Partisë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.

Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë”. Ndërsa në në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i kësaj organizate, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Në 2022 Bogdani garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023. Gjatë angazhimit të tij politik, ai i ka dhënë gjithnjë zë nisma politike për mbrojtjen e vlerave të qytetarisë dhe trashëgimisë së Tiranës, qyteti ku u lind dhe u rrit.



Skip to toolbar