Pas thuajse 48 orësh kërkime, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali.
Mësohet se trupi i tij u gjet gjatë ditës së tretë të operacionit të kërkimit, që nisi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.
Arben Anamali humbi jetën në Liqenin e Shkodrës teksa po përpiqej të shpëtonte nga mbytja dy turistë të huaj që kishin rënë në ujë.
Kreu i Bashkisë, Benet Beci bëri një reagim për këtë ngjarje të rëndë, ku vlerësoi veprimin heroik të kapitenit Anamali, që sakrifikoi jetën për të shpëtuar dy të rinjtë.“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali.
Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.
Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira”, shkruante Benet Beci.
