Hyn sot në fuqi harta e re gjyqësore! Shkrihet ‘Apeli’ në pesë rrethe

AKTUALITET


Nga sot futet në fuqi harta e re gjyqësore. KLGJ u ka dërguar vendim të formës së prerë Gjykatave të Apelit në rrethe dhe duke nisur nga sot ato do të mbyllen dhe do të funksionojë vetëm një Apel në Tiranë. Ndërkohë, 13 gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen më 1 maj.

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët. Në këto zyra do të punojnë 3 nëpunës civilë gjyqësorë dhe qytetarët do kenë mundësi vetëm të depozitojnë vetëm kërkesat.


Me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në Apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë. Janë 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi, mes të cilave është edhe ajo e ankimimit që Partia Demokratike e Alibeajt i ka bërë vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që i dha vulën e partisë Sali Berishës. Këto dosje pa date për seancën e parë, do të rihidhen në short në datat 1 dhe 2 shkurt.

Për këto 32 mijë dosje do jenë 25 gjyqtarë që pritet t’i shqyrtojnë, nga 78 që është organika, por në krah të tyre do jenë edhe ndihmës ligjorë. Këto vakanca janë krijuar nga procesi i vettingut, ndërsa volumi i dosjeve është relativisht i madh krahasuar me numrin e gjyqtarëve.

Harta e re gjyqësore e cila u hartua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, hasi ne kundërshtimet e avokatëve, të cilët bojkotuan për disa javë edhe seancat. Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.




Skip to toolbar