I biri i Remzi Hoxhës: Mora informacion për një dokument të UDB me 178 emra…!

AKTUALITET


Vrasja misterioze e Remzi Hoxhës është bërë temë diskutimi mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.

I pranishëm në studio ishte edhe djali i të ndjerit, Ardian Hoxha, i cili tha se babai i tij nuk ka qenë spiun, por një biznesmen, që e njihte gjithë Kosova dhe Maqedonia. Ndërsa gazetarja Klodiana Lala u shpreh se Remzi Hoxha është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor.


Klodiana Lala: Remzi Hoxha është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor. Problemi është që unë mendoj se strukturat shtetërore të asaj kohe kanë penguar zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Në dosje ka një dokument të firmosur nga z. Berisha, që thotë të analizohet çështja. Gjykata krijoi bindjen që SHISH ishte tërësisht i përfshirë, por nuk krijoi bindjen për motivin e ngjarjes. Burime të ndryshme jashtë sallës së gjyqit thonin se Remzi Hoxha kishte qenë dëshmitarë e një takimi mes Berishës dhe Millosheviçit, por në dosjen gjyqësore nuk thuhet një gjë e tillë. Hetimet për ngjarjen janë hapur e mbyllur disa herë.

Pyetje: Një kryetar gjykate që vdes mes procesit, një prokuror që vdes mes procesit, një dëshmitar që nuk dëshmon kurrë… rastësi të gjitha këto?
Ardian Hoxha: Edhe rastësi, edhe qëllim. Babai im ishte padyshim një nga biznesmenët më të suksesshëm të asaj kohe. Ishte dhe një nga veprimtarët shumë të rëndësishëm në Kosovë. Ishte i angazhuar në disa fusha, që nga fusha e ndihmave për familjet e varfra, ku kishim 800 familje që mbanim me ushqim e veshmbathje. Pastaj ishte pjesa e shërimit të atyre që nuk gjenin shërim në Kosovë dhe kishin nevojë të shkonin jashtë vendit. Ishte i angazhuar në referendumin për deklarimin e Kosovës më 2 korrik 1990. Pra, ishte shumë aktiv.

Unë kam marrë një informacion nga akademiku Shaban Sinani, që ka qenë drejtor në Arkivën e Shtetit Shqiptar, që ka treguar për një dokument në arkiv me 178 emra të shqiptarëve nga Kosova, që kanë qenë të përndjekur nga shteti shqiptar. Ky dokument kishte ardhur nga UDB dhe aty ishte dhe babai im. Ishin shumë figura të luftës së Kosovës, që janë survejuar dhe arrestuar. Familjen tonë e njohin gjithë Kosova e Maqedonia. Babai im nuk ishte person në nivelin e spiunit, ai ishte më i madh se aq, ishte në nivelin e udhëheqësit.




Skip to toolbar