I burgosuri kalon 3 kontrolle me celular me vete, arrestohen 5 policët e burgjeve

AKTUALITET


Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar 5 punonjës policie për shkak se një i burgosur është transferuar nga njëri burg në tjetrin duke kaluar në 3 kontrolle dhe askush nuk i ka zbuluar telefonin që kishte me vete. Kështu në pranga kanë rënë 5 efektivët e burgjeve që nuk kanë kryer në mënyrë korrekte detyrën e tyre, atë të kontrollit të të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Shqiptarja.com mëson se një i dënuar, Dritan Velaj ka pasur celular me vete në momentin që ka kaluar nga Burgu i Peqinit në burgun 313 në Tiranë, ku gjatë transportit ka kaluar 3 kontrolle.


Bashkë me 5 policët e burgjeve, në pranga ka rënë edhe vetë i dënuari për mbajtjen e sendeve të paligjshme. Efektivët e arrestuar, në ushtrim të detyrës së tyre kanë kryer kontroll ndaj të dënuarit, por nuk kanë raportuar t’i kenë gjetur atij sende të paligjshme. Të dënuarit i është gjetur celulari gjatë kontrollit të fundit në burgun 313. Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i 5 efektivëve operacional.

Të arrestuarit janë me inicialet: A.O, L.C, B.K, D.Q, K.H, efektivët e rolit bazë në forcat operacionale, të cilët kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Kujtojmë që më herët nga ana e Hetimit në SHKBB janë bërë edhe arrestime të tjera në saj të rritjes së kontrollit në sistemin penitenciar. Disa javë më parë nga ky sektor u godit fenomeni i mbajtjes së telefonave në qeli, në IEVP Rogozhinë, si dhe në IEVP Peqin u arrestuan 6 efektivë të tjerë policie.




Skip to toolbar