I dënuar me 17 vite burg për drogë, arrestohet në Durrës 62-vjeçari me 4 emra

AKTUALITET


Një 62-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi ishte dënuar me 17 vite burg për drogë në Itali.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinatat”, në pranga ra Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës. Tashmë pritet ekstradimi i tij drejt Italisë.


NJOFTIMI I POLICISË
I dënuar në Itali, me mbi 17 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 62-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për kapjen e personave të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinatat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit:
– Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës.

Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, e ka dënuar 62-vjeçarin, me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga ligji penal italian. Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë apeli ka lëshuar për këtë shtetas, një urdhër-arrest ndërkombëtar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.




Skip to toolbar