I dërguari i SHBA në OSBE: Europa në prag të luftës

BOTA


Perëndimi duhet të përgatitet për mundësinë që mund të ketë një përshkallëzim të tensioneve me Moskën, tha i dërguari i SHBA në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) pas bisedimeve me Rusinë në Vjenë të enjten, duke paralajmëruar se “daullja e luftës po tingëllon me zë të lartë”.

Michael Carpenter tha se grumbullimi i 100.000 trupave, armatimit të avancuar, sistemeve artilerike, sistemeve elektronike të luftimit dhe municionit nga Rusia afër kufirit të saj me Ukrainën “shtron shumë pyetje për atë se cilat janë qëllimet e Rusisë”.


“Duhet ta marrim këtë shumë seriozisht. Duhet të përgatitemi për mundësinë se mund të ketë një eskalim”, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni parapëlqen rrugën e dialogut dhe shtensionimit, raporton Reuters.

Fuqitë perëndimore dhe Rusia këtë javë kanë zhvilluar tri runde të bisedimeve diplomatike për uljen e tensioneve.

Të hënën, SHBA dhe Rusia zhvilluan bisedime në Gjenevë të Zvicrës. Të mërkurën, në Bruksel u zhvilluan bisedime mes NATO-s dhe Rusisë. Të enjten, OSBE-ja zhvilloi bisedime me Rusinë në Vjenë të Austrisë.