I publikuan foto intime, vetëvritet 27-vjeçarja në Kamëz. Policia arreston 39-vjeçarin

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka zbardhur vetëvrasjen e një vajze të re një ditë më parë, e cila u hodh nga kati i katërt i një pallati në rrugën “Teuta” në Kamëz.

Sipas policisë, 27-vjeçarja me iniciale S.A. u vetëhodh nga lartësia për shkak se i kishin publikuar një foto intime në rrjetet sociale.

E reja jetonte me qira në banesën e pallatit nga ku u hodh.

Lidhur me këtë ngjarje, hetuesit kanë zbardhur rrethanat dhe kanë ndaluar 39-vjeçarin me Altin Ç. për veprën penale shkaktim i vetëvrasjes pasi dyshohet se është personi që i publikoi foton intime në internet.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS

I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.     

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:       

– A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. 

Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar