20 vite në kërkim, RENEA çon vrasësin në burg të sigurisë së lartë

AKTUALITET


Forcat RENEA kanë sjellë drejt Burgut të Sigurisë së Lartë në Tiranë Xhevahir Jonuzin, 47-vjeçarin e arrestuar nga policia pas një shkëmbimi zjarri, ku ai mbeti i plagosur në këmbë. Ai do të vijojë të mjekohet në spitalin e këtij burgu. Pas arrestimit, fillimisht atij iu dha ndihma e parë, pasi blutë e kanë dërguar Jonuzin në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pasi nën masa të shumta sigurie ai është sjellë në Burgun e Sigurisë së Lartë Tiranë.

Xhevahir Jonuzi  47 vjeç nga Hoshtima, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy personave në vitin 1999, është arrestuar mëngjesin e sotëm pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Në tentativë për t’i shpëtuar aksionit të nisur prej orëve të para të mëngjesit, 47-vjeçari ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë, duke iu rrezikuar edhe jetën, por pas kundërpërgjigjes së tyre ka mbetur i plagosur në këmbë.

Uniformat blu rrethuan fillimisht banesën e 47-vjeçarit të ndërtuar në majë të një kodre në mes të pyllit në fshatin Hoshtimë të Vlorës rreth orës 04:00, dhe i kanë bërë fillimisht thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën, por ai ka refuzuar duke qëlluar në drejtim të policisë. Në përpjekje për ta neutralizuar policia e ka qëlluar të shumëkërkuarin në këmbë duke e lënë të plagosur. Operacioni policor për kapjen e tij i koduar “Hoshtima” është zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës.



Skip to toolbar