I riu shqiptar arratiset gjatë transportit të të burgosurve në Gjermani

AKTUALITET


Një 23-vjeçar shqiptar ka arritur të arratiset të enjten në mëngjes, më 17 korrik, gjatë transportit të të burgosurve në qytetin Baden të kantonit Aargau, në Gjermani. Pavarësisht një operacioni të menjëhershëm të kërkimit, ku u angazhuan dhe qentë e njësive speciale, ai vazhdon të jetë në arrati.

Media gjermane Badener Tagblatt shkruan se shqiptari 23-vjeçar kishte veshur pantallona të zeza, një xhaketë të zezë me mëngë me motive të bardha dhe këpucë të bardha. Në momentin e arratisjes, ai i kishte ende prangat në duar. Sipas Policisë së kantonit të Aargaut, i arratisuri nuk përbën rrezik për publikun.

Zëdhënësi i policisë, Pascal Wenzel, shpjegon se arsyeja e arrestimit të të riut ishte një “vjedhje ose mashtrim pasuror”. Ai shtoi se momentalisht nuk mund të jepen informacione të mëtejshme nga ana e policisë.

Pak më shumë detaje jep Annette Kielholz, zëdhënëse e Departamentit të Ekonomisë dhe Punëve të Brendshme: “Për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, nuk mund të komentojmë për veprat konkrete. I arratisuri ishte dënuar tashmë në shkallën e parë, por vendimi nuk është ende i formës së prerë.” Ai ishte në proces transferimi në një burg tjetër rajonal kur u arratis.

Pas arratisjes së të riut shqiptar, policia kërkon ndihmën e qytetarëve gjermanë duke publikuar dhe një foto të tij, por nuk ka bërë të ditur identitetin.



Skip to toolbar