Identifikim elektronik? Rama thirrje opozitës: Bëjeni, ne jemi ok! Depolitizimi i komisioneve ende mision i pamundur

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendit se arsyeja kryesore e sherreve dhe luftërave mes palëve politike në Shqipëri janë komisionet zgjedhore, pra ata që identifikojnë dhe numërojnë votat, të cilët janë të politizuar.

Kreu i qeverisë theksoi se depolitizimi i komisioneve ka qenë një ndër pikat kryesore që në raportin e parë të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa shtoi se edhe sot në vitin 2020 ky mbetet një mision i pamundur.


Duke u ndalur te identifikimi elektronik, Rama u shpreh se është e pamundur që të arrihet në zgjedhjet e 2020-ës, por sipas tij, mazhoranca ka pranuar që të futet pjesërisht dhe në një pjesë të zonave të vijohet me tradicionalin.

Sipas tij, PD mund të zgjedhë vetë një njeri dhe ta vendosë aty që të merret me teknologjinë, pasi mazhoranca nuk do ta kundërshtojë.

“U jam mirënjohës ambasadorëve, që dalin nga roli dhe mandati i tyre, dhe bëjnë arbitrin, duke parë ping-pongun shqiptar. Sidoqoftë mbetet me vlerë fakti se së paku diskutimet bëhen me dëshmitarë. Së paku, kur të tjerët që marrin ato email-et dhe mesazhet e pafundme të gënjeshtrave nga selia e opozitës, të kenë mundësinë të verifikojnë burimin, duke folur me përfaqësuesit e tyre.

E vërteta është e thjeshtë, korrniza e përcaktuar nga rekomandimet është aty. E dinë të gjithë që problemi kryesor dhe arsyeja kryesor e sherreve dhe luftërave absurde janë komisionet. Kush identifikon dhe kush numëron. Dhe qysh se unë kam lexuar raportin e parë në jetën time të ODIHR, e deri në fund, është një fjali aty, depolitizimi i komisionit.

E mbaj mend një zyrtar të ODIHR, kur erdhi aty e më tha: Si ka mundësi që vetëm këtu në Shqipëri nuk u arrika që komisionet, që identifikojnë votuesit, e që numërojnë votat, të mos u bëkan me njerëz të vendosur aty jo nga partitë? Ja që edhe sot që flasim ky duket mision i pamundur për fat të keq. Ne e kemi thënë që depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm.

Sa i takon identifikimit: Nga firmosja e kontratës deri te realimi i sistemit elektronik duhet minimum gjashtë muaj. Do duhet të votohet nga parlamenti gjithë struktura e KQZ së re, që është komplet model tjetër. Kontrata kur të bëhet në janar, në shkurt fillon puna për të bërë sistemin, dhe pastaj do të bëhen zgjedhjet në pranverë. Ne pranojmë të hyjë identifkimi elektronik për aq sa arrihet dhe pjesa tjetër të vazhdojë me mënyrë tradicionale dhe PD ta gjejë një njeri, ta zgjedhë nga dhomat e SHQUP, nuk na intereson fare sa i depolitizuar apo i politizuar është, ta vendosë aty me votën tonë, që të merret me teknologjinë. Le ta bëjnë vetë, që mos thonë pastaj ‘jo qafiri andej, jo ndrikulla këtej’. Nuk duam fare të hyjmë në këtë process, ta marrin elektronikën, ta bëjnë vetë, ne jemi ok”, u shpreh Rama.




Skip to toolbar